Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Merkel dhe Macron bisedojnë për rëndësinë e bashkëpunimit me SHBA-në


Presidenti francez Emmanuel Macron duke biseduar me kancelaren gjermane Angela Merkel gjatë ditës së sotme në Paris

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, u takua në Paris me presidentin francez, Emmanuel Macron, para vizitës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump në Francë.

Të dy liderët evropianë, kanë shprehur nevojën për bashkëpunim më të ngushtë brenda vendeve të Evropës, pa lënë anash edhe SHBA-në.

Para takimit me Trumpin, Macron ka pritur Merkelin për një takim të përbashkët të kabinetit mes dy qeverive.

Në një konferencë për media, Merkel, ka thënë se Evropa “duhet të marrë fatin e saj në duart e veta”, mirëpo në të njejtën kohë ka thënë se nevojitet “një bashkëpunim i ngushtë” me SHBA-në, pavarësisht “dallimeve në qëndrime”.

“Ne duhet të jemi të suksesshëm dhe na duhet të ofrojmë siguri dhe zhvillim tek qytetarët tanë”, ka thënë ajo.

Mirëpo ajo ka shtuar se “ në çështjet e sigurisë, ne duhet të kemi bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në, pavarësisht dallimeve në qëndrime”.

Ajo ka thënë se aleatët perëndimorë mbesin të varur nga njëri - tjetri sa i përket sigurisë në “botën e shekullit 21”.

“E vetme, Evropa, nuk mund të fitojë luftën kundër terrorizimit, për shembull. Kemi arsye se pse jemi pjesë e NATO-s”, ka thënë ajo.

Trump ka arritur më herët në Paris, i cili u prit nga Macron në ndërtesën historike Invalides, në të cilën gjendet varri i Napoleon Bonapartës.

Merkel dhe Trump janë përballur me situata që janë vlerësuar si të sikletshme gjatë takimeve në Uashington dhe gjatë vizitës së parë të presidentit Trump në Evropë, në maj.

Ata janë takuar edhe në samitin e G20 që u mbajt në Gjermani më 7-8 korrik.

Duke iu referuar takimeve me Trumpin, Merkel ka thënë në Paris se “ne nuk kemi biseduar për të gjitha dallimet tona, mirëpo pavarësisht të gjithave, mundësia për të biseduar është shumë e rëndësishme”.

Trump do të qëndrojë në Francë për të shënuar Ditën Bastille më 14 korrik, së bashku me presidentin francez, Macron.

Ata do të shënojnë edhe 100 vjetorin e përfshirjes së SHBA-së në Luftën e Parë Botërore.

“Nuk duhet të harrojmë asnjëherë që historia është më e madhe se ne”, ka thënë Macron.

XS
SM
MD
LG