Ndërlidhjet

Trump "ndaloi" programin kundër ushtrisë së Assadit


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka vendosur muajin e kaluar të ndalojë programin e fshehtë të CIA-s për pajisjen dhe trajnimin e grupeve rebele që luftojnë ushtrinë e presidentit sirian, Bashar al- Assad, kanë raportuar mediat.

Vendimi i Trumpit ka tentuar të shfaq gadishmëri për të punuar me Rusinë në Siri, ka raportuar Reuters dhe Washington Post, duke cituar zyrtarë anonimë.

Programi i CIA-s ka filluar në vitin 2013, në përpjekje të ish presidenit të SHBA-së, Barack Obama, për të përmbysur regjimin e Assadit, por që rezultoi me pak sukses.

Trump e ka marrë vendimin për të hedhur poshtë këtë program, bazuar në rekomandimet e këshilltarit për Siguri Kombëtare, McMaster dhe drejtorit të CIA-s, Mike Pompeo, para se të takohej me presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë samitit G20 në Gjermani.

Kjo çështje nuk ka qenë pjesë e negociatave mes SHBA-së dhe Rusisë, për marrëveshjen e armëpushimit në jugpërendim të Sirisë, kanë thënë mediat.

Një zyrtar i ka thënë Reutersit se ky është “sinjal për Putinin se administrata e Trumpit dëshiron të rregullojë marrëdhëniet me Rusinë”.

Përpara se të merrte detyrën si president, Trump pati thënë se ai mund të ndalojë mbështetjen për “Ushtrinë e Lirë Sirine”, për të vënë prioritet luftimin e Shtetit Islamik.

XS
SM
MD
LG