Ndërlidhjet

Shtyhet për në shtator gjykimi i “puçistëve” në Mal të Zi


Pamje nga objekti ku është mbajtur gjykimi i sotëm në Podgoricë
Pamje nga objekti ku është mbajtur gjykimi i sotëm në Podgoricë

Gjykimi i 14 personave të akuzuar për komplot për të rrëzuar Qeverinë malazeze, është shtyrë për në shtator.

Gjykatësja Suzana Mugosha, e ka bërë të ditur lajmin për shtyrje, pasi avokatët mbrojtës kanë parashtruar disa mocione dhe kanë kërkuar më shumë kohë për t’u përgatitur.

Mugosha ka thënë se gjykimi do të shtyhet deri më 6 shtator “në mënyrë që të mos cenohet e drejta e palës mbrojtëse”.

Ky proces gjyqësor ka nisur më 19 korrik, por është ndërprerë për shkak të mocionit të mbrojtjes për të zëvendësuar prokurorin.

Autoritetet shtetërore në Mal të Zi pretendojnë se nacionalistët rusë dhe serbë kanë tentuar të marrin nën kontroll parlamentin gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016, të vrasin kryeministrin e atëhershëm malazez, Millo Gjukanoviq, dhe të instalojnë një udhëheqësi, e cila do ta pengonte anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Të pandehurit përfshijnë Andrija Mandiqin dhe Millan Knezheviqin, deputetë nga partia opozitare malazeze Fronti Demokratik, nëntë shtetas serbë, një tjetër malazez dhe dy rusë që gjykohen në mungesë.

Mali i Zi ka thënë se “organet shtetërore ruse” kanë qenë të përfshira në këtë ngjarje, mirëpo Rusia i mohon këto deklarata.

Mali i Zi është bërë anëtari i 29-të i NATO-s më 5 qershor, duke shënuar një kthim historik drejt aleancës transatlantike.

XS
SM
MD
LG