Moska dhe Uashingtoni janë në negociata për të krijuar një grup të përbashkët pune për sigurinë kibernetike, tha Andrei Krutskikh, përfaqësues special i presidentit rus, Vladimir Putin, për sigurinë kibernetike.
“Bisedimet janë në zhvillim e sipër. Po shkëmbehen propozime të ndryshme. Askush nuk e mohon nevojën e bisedimeve dhe kontakteve të tilla”, tha Krutskikh për mediat ruse.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se ka diskutuar idenë e bashkëpunimit me presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë takimit që kanë pasur më 7 korrik.
Por, liderët e Kongresit amerikan e kanë kritikuar planin për bashkëpunim, për shkak të ndëryrjes së dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, vitin e kaluar.
Trump më pas është tërhequr, duke thënë se fakti që ka diskutuar me Putinin për një njësi të sigurisë kibernetike, nuk do të thotë se ajo do të krijohet.