Ndërlidhjet

Fuqitë perëndimore të shqetësuara për bllokadën politike në Kosovë


Pamje e një pjese të Prishtinës
Pamje e një pjese të Prishtinës

“Ne jemi të shqetësuar për situatën politike që po vazhdon në Kosovë”, thuhet në fillim të një deklarate të Ambasadave të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, të publikuar sot.

Mëtutje, Ambasadat e pesë vendeve perëndimore në Prishtinë theksojnë se “Kosova ballafaqohet me shumë sfida, në periudhë të mesme dhe afatgjatë, përfshirë programin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, situatën energjetike, por, po ashtu, edhe nevojën për zhvillimn ekonomik, forcim të sundimit të ligjit, perspektivën evropiane të Kosovës dhe raportet e Kosovës me Serbinë”, dhe shtojnë se “Shtetasit e Kosovës meritojnë një Kuvend dhe Qeveri, që mund t’i plotësoj këto qëllime”.

Këto komente u bënë para vazhdimit të senacës së nesërme konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila deri tash tri herë është ndërprerë për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve të koalicionit PAN, që është fituese e zgjedhjeve të 11 qershorit.

Për seancën e nesërme, po ashtu, është paralajmëruar se PAN-i nuk do të merr pjesë.

Në deklaratën e pesë Ambasadave të vendeve perëndimore në Prishtinë, theksohet se “është përgjegjësi e liderëve të Kosovës formimi i këtyre institucioneve, por edhe për të bërë reforma të domosdoshme për parandalimin e bllokadës së këtillë në të ardhmen”.

“Ne shpresojmë se liderët e Kosovës, ata në politikë dhe në shoqërinë civile, do të udhëheqin në zgjidhjen e kësaj çështjeje, përfshirë paraqitjen e propozimeve konkrete”, theksohet në deklaratë dhe shtohet se “një parim i parë i rëndësishëm është që deputetët e zgjedhur në Kuvendin e Kosovës duhet të marrin pjesë në seancat e Kuvendit dhe të lejojnë që ai ta filloj punën e vet”.

XS
SM
MD
LG