Ndërlidhjet

Shah: Garry Kasparov e përfundoi turneun e parë pas tërheqjes


Garry Kasparov gjatë lojës kundër fitueesit të turneut, Levon Aronian
Garry Kasparov gjatë lojës kundër fitueesit të turneut, Levon Aronian

Ish-kampioni botëror në shah, Garry Kasparov, e ka përfunduar turneun e parë pas tërheqjes nga shahu aktiv, duke u plasuar në vendin e tetë në konkurrencën e 10 lojtarëve.

Kasparov luajti kundër shahistëve shumë më të rinj në turneun me lëvizje të shpejta, në Sent-Luis në Shtetet e Bashkuara.

Ish-kampioni botëror luajti në formë jostabile, duke i fituar pak lojë kundër 10 lojtarëve të tjerë, në mesin e të cilëve ishin edhe katër shahistë në listën e 10 lojtarëve më të mirë në botë.

Fitues i këtij turneu, që përfundoi mbrëmë, doli kryemjeshtri, Levon Aronian, nga Armenia.

Garry Kasparov, 54 vjeçar, është i lindur në Baku të Azerbajxhanit, kur ky vend ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik të dikurshëm. Ai u tërhoq nga loja aktive në vitin 2005 dhe e formoi lëvizjen politike, Rusia Tjetër, për ta kundërshtuar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Kasparov, i cili është kritik i ashpër i Kremlinit, përfundimisht u largua nga Rusia në vitin 2013, dhe asnjëherë nuk është kthyer më. Ai e ka marrë shtetësinë e Kroacisë në vitin 2014.

Pjesën më të madhe të kohës e kalon në Nju Jork.

XS
SM
MD
LG