Ndërlidhjet

Trump ende s’ka vendosur për dërgim të forcave shtesë në Afganistan


Presidenti Donald Trump
Presidenti Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ende s'ka marrë vendim për dërgimin e forcave shtesë në Afganistan, pasi të premten mbrëma mori propozimet e këshilltarëve të tij për Siguri Kombëtare, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.

Takimi i zotit Trump me këshilltarët e tij në pushimoren presidenciale, Kemp Dejvid, në Merilend, ishte i fokusuar në zhvillimin e “strategjisë së re për mbrojtjen e interesave të Amerikës në Azinë Jugore”, u tha gazetarëve, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders.

Administrata është përfshirë nga dallimet e brendshme lidhur me atë se si të veprohet në Afganistan.

Këshilltari për Siguri Kombëtare, HR McMaster, sekretari i Mbrojtjes, Jim Mattis, dhe liderët e tjerë ushtarakë, e mbështesin dërgimin e një force të vogël, të përbërë prej 3 mijë e deri në 5 mijë ushtarë. Aktualisht, në Afganistan gjenden 8,400 ushtarë amerikanë.

Por, personat e ashtuquajtur “anti-globalë” në Shtëpinë e Bardhë, të udhëhequr nga Steve Banon, i cili të premten është larguar nga administrata Trump, ishte angazhuar për tërheqje të forcave amerikane nga Afganistani, kanë thënë zyrtarët.

Bannon nuk ka marrë pjesë në mbledhjen në Kemp Dejvid, ndërsa aty ishin të pranishëm Mattis, McMaster, zëvendëspresidenti Mike Pence, dhe sekretari i Shtetit, Rex Tillerson.

Sipas zyrtarëve, në këtë takim janë paraqitur edhe opinione të tjera, përfshirë edhe atë që të mbahet niveli aktual i trupave në Afganistan ose të reduktohet ky numër dhe të miratohet një strategji e re e fokusuar në operacione kundërterroriste të mbështetura nga fluturaket pa ekuipazh dhe mbledhja e informacioneve të Inteligjencës.

Opsioni i tërheqjes apo i reduktimit të trupave mund të ishte një befasi në Afganistan, pasi sekretari Mattis, më herët këtë vit, i kishte thënë presidentit afgan, Ashraf Ghani, se Shtetet e Bashkuara kanë përkushtim të qëndrueshëm për këtë vend të përfshirë nga lufta.

Mattis dukej se kishte besim se do ta fitonte debatin brenda administratës para takimit në Kemp Dejvid, duke u thënë gazetarëve në Uashington, se “ne jemi shumë afër vendimit”.

Në takimin me këshilltarët më herët këtë vit, mediet kishin raportuar se presidenti Trump kishte shprehur frustrim për “rrugën pa krye” në luftimin me talibanët, pavarësisht 16 viteve të luftës. Agjencitë amerikane të Inteligjencë në muajin maj thanë se kjo situatë mbase nuk do të ndryshonte me shtimin e vogël të numrit të ushtarëve të Shteteve të Bashkuara.

Zyrtarët thanë se vendimi se çka të bëhet në Afganistan, po ashtu, është ndërlikuar nga dallimet e brendshme në administratë, për atë se nëse Shtetet e Bashkuara duhet të tregojnë një qëndrim më të ashpër ndaj Pakistanit, për shkak të dështimit për t’i mbyllur bazat e talibanëve afganë dhe për t’i arrestuar liderët ekstremistë talibanë.

Zyrtarët amerikanë thonë se talibant afganë po mbështeten nga elementet e ushtrisë pakistaneze dhe të agjencisë më të lartë të Inteligjencës.

Pakistani i ka hedhur poshtë këto akuza.

Agjencia Reuters ka raportuar se, sipas një propozimi të paraqitur nga zyrtarët amerikanë, Shtetet e Bashkuara do ta fillonin shqyrtimin e çështjes se a të cilësohet Pakistani si sponsor shtetëror i terrorizmit, nëse nuk i ndjek liderët e lartë talibanë afganë dhe rrjetin aleat të tyre, Haqqani, që konsiderohet grupi më ekstremist vdekjeprurës afgan.

Një cilësim i tillë për Pakistanin, rrjedhimisht do të çonte në sanksione të ashpra amerikane kundër Islamabadin, përfshirë ndalesën e shitjes së armatimit dhe ndaljen e ndihmës ekonomike për Pakistanin.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG