Ndërlidhjet

Irak: Forcat qeveritare kanë avancuar në Tal Afar


Forcat irakiane gjatë depërtimit në qytetin Tal Afar

Ministri i jashtëm i Irakut, Ibrtahim al-Jaafari, thotë se forcat qeveritare e kanë rimarrë 70% të qytetit Tal Afar, që është bazë e fuqishme e grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS), në pjesën veriperëndimore të Irakut.

“Me ndihmën e Zotit pjesa tjetër do të çlirohet së shpejti”, tha Jafari gjatë një konference për gazetarë, sot në kryeqytetin Bagdad.

Gjenerali Abdulamir Yarallah, komandant udhëheqës i ofensivës për rimarrjen e Tal Afarit, tha se trupat qeveritare e kanë rimarrë qendrën e qytetit dhe një kala.

Trupat e Irakut, të mbështetura nga koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, e kanë dëbuar Shtetin Islamik nga Mosuli, muajin e kaluar, pas luftës nëntëmuajshe për këtë qytet, që është i dyti për nga madhësia në Irak, pas Bagdadit.

Më 20 gusht forcat qeveritare irakiane e kanë lansuar ofensivën për rimarrjen e qytetit Tal Afar, që dikur ishte lidhja kryesore e furnizimit për IS-in, ndërmjet Mosulit dhe kufirit sirian.

Vlerësohet se brenda Tal Afarit janë ende afro një mijë luftëtarë të IS-it.

XS
SM
MD
LG