Ndërlidhjet

Thaçi dhe senatori Johnson theksojnë rëndësinë e formimit të institucioneve të reja


Senatori Johnson në takim me presidentin Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot senatorin amerikan, Ronald Johnson, me të cilin ka bashkëbiseduar për shumë tema që përbëjnë interes për dy shtetet.

Presidenti Thaçi, sipas komunikatës së lëshuar për media, ka falënderuar senatorin amerikan për mbështetjen që po i jep Kosovës administrata e presidentit Donald Trump në rrugën e saj drejt integrimit në struktura euroatlantike.

“Mbështetja amerikane është përcaktuese për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurimin e rrugës euroatlantike për Kosovën dhe shtetet e tjera të rajonit”, ka theksuar presidenti Thaçi.

Ai e ka njoftuar senatorin amerikan për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe për sfidat që e presin Qeverinë e re të Kosovës në jetësimin e prioriteteve strategjike, duke theksuar se institucionet e reja duhet të themelohen sa më shpejtë.

Nga ana tjetër, senatori amerikan, Ronald Johnson, sipas komunikatës, e ka siguruar presidentin Thaçi se administrata e presidentit Trump do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në të gjitha fushat dhe do të mbetet e përkushtuar për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon.

Më pas, ai ka takuar edhe kryeministrin, Isa Mustafa.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin miqtë dhe përkrahësit më të mëdhenj të Kosovës, prandaj u jemi mirënjohës përjetë”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Senatori Ronald Johnson, sipas komunikatës për media, u interesua për proceset zhvillimore në Kosovë, duke theksuar përkrahjen e mëtejme të SHBA-ve për Kosovën.

XS
SM
MD
LG