Ndërlidhjet

Putin: Konflikti me Korenë Veriore të zgjidhet me diplomaci


Presidenti rus, Vladimir Putin, flet në forumin ekonomik në Rusi.
Presidenti rus, Vladimir Putin, flet në forumin ekonomik në Rusi.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, përsëri ka kundërshtuar rritjen e sanksioneve ndaj Phenjanit, duke thënë se kriza rreth testeve me armë bërthamore në Korenë e Veriut mund të zgjidhet me “rrugë diplomatike”.

Duke folur në një furom ekonomik në Rusi, Putini ka thënë se Phenjani nuk do t’i japë fund programit nuklear, sepse për të, kjo është e vetmja mënyrë për vetëmbrojtje.

“Është e pamundur t’i frikësojmë ata” ka thënë Putin.

Kryeministri japonez, Shinzo Abe ka folur në të njëjtin forum, ku përsëriti thirrjen e tij për botën që “t’i bëjnë presion shumë të madh” Koresë së Veriut që të përmbushë obligimet e OKB-së dhe të pezullojë programin e armëve.

Komentet vijnë pasi SHBA-të po propozojnë sanksione të reja të OKB-së ndaj Koresë Veriore, pasi kjo e fundit ka bërë testimin e gjashtë të bombës nukleare.

Draft propozimi i SHBA-ve është shpërndarë tek anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe ai bën thirrje, mes tjerash, për ndalim të furnizimit me naftë të Koresë së Veriut.

Nuk është e qartë nëse Kina, aleatja kryesore e Koresë së Veriut, do t'i mbështesë këta hapa të rreptë ndaj Phenjanit.

Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi ka thënë se Këshilli i Sigurimit duhet t’i përgjigjet Koresë së Veriut, por ai shtoi se sanksionet janë vetëm gjysma e zgjidhjes së problemit dhe se duhet të kombinohen me dialog dhe negociata.

XS
SM
MD
LG