Ndërlidhjet

Thaçi i zhgënjyer me ndërkombëtarët rreth Gjykatës Speciale


Presidenti Hashim Thaçi
Presidenti Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ngritur dyshime rreth drejtësisë që mund të vendosë Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë.

Këto qëndrime, Thaçi i ka shprehur gjatë prezantimit të raportit për perceptimin publik rreth Gjykatës Speciale, të organizuar nga disa organizata joqeveritare në Prishtinë.

“Gjykata Speciale do të jetë vetëm një pikë drejtësi në detin e padrejtësive që kanë ndodhur në Kosovë”, ka thënë ai, duke shtuar se “shqiptarëve po u rritet pakënaqësia, ndërsa serbëve dhe Serbisë po u rritet entuziazmi”.

Thaçi ka potencuar faktin se kjo Gjykatë po shihet me shumë rezerva nga shqiptarët, pasi që do të merret vetëm me hetimin dhe gjykimin e rasteve të supozuara të krimeve të kryera nga ish-pjesëtarët e UÇK-së ndaj popullatës civile serbe.

“Të gjithë flasin dhe punojnë që askush të mos jetë mbi ligjin”, theksoi Thaçi. Por, tani, sipas tij, me krijimin e kësaj Gjykate e cila do të merret vetëm me hetimin dhe gjykimin e krimeve të supozuara vetëm të njërës palë, kjo ka nënvizuar ai, nga shqiptarët shihet me mosbesim.

Kjo Gjykatë, sipas presidentit të Kosovës, “mund të sjellë privim të disave nga liria, por jo drejtësi dhe pajtim ndëretnik”.

Sidoqoftë, Thaçi i ka vlerësuar edhe anët, sipas tij, pozitive të instalimit të kësaj Gjykate ndërkombëtare.

“Gjykata Speciale nuk është disavantazh, por është avantazh për Kosovën. Shpesh thuhet se për Kosovën qëndron një re e zezë që duhet ta largojmë. Por, të jem i qartë, atë re të zezë e ka krijuar Serbia”, tha presidenti Thaçi.

E njohur me emrin Gjykata Speciale për krime lufte, mandati i saj përkufizohet kryesisht në hetimet dhe gjykimet e rasteve të pretenduara të krimeve të luftës nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve, që përfshinë periudhën kohore nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000.

Këto pretendime fillimisht ishin ngritur në raportin e senatorit zviceran, Dick Marty të prezantuar para Këshillit Evropian.

“Publikimi i raportit të Dick Martyt nuk ka qenë aksidental, por i motivuar politikisht sepse u publikua një ditë pas publikimit të rezultateve 2010”, ka thënë Thaçi.

Ai ka sqaruar se institucionet e Kosovës e kanë votuar Ligjin për themelimin e kësaj gjykate, ngase atë kohë, kishte presione ndërkombëtare.

“Pranova që ta udhëheq një proces të padrejtë historik ndaj Kosovës”, tha Thaçi, ndërkohë që tha se ka mbetur i zhgënjyer me bashkësinë ndërkombëtare në periudhën pas miratimit. Sipas tij, Kosova i kryejti obligimet e veta, por zotimet nuk i çoi në vend faktori ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG