Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

SHBA: Kryengritësit në Jemen armatosen nga Irani


Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, gjatë konferencës së djeshme për gazetarë

Shtetet e Bashkuara kanë dëshmi konkrete se Irani po i furnizon kryengritësit huthi në Jemen, duke i shkelur sanksionet e Kombeve të Bashkuara, ka thënë ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley.

Gjatë një konference të djeshme për gazetarë në një kapacitet ushtarak në Uashington, ku zyrtarët e mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara kishin ekspozuar pjesë të armatimeve, ambasadorja Haley theksoi, po ashtu, se “dëshmia është e pakontestueshme”.

“Shtetet e Bashkuara po marrin një qasje të re ndaj Iranit duke u fokusuar në të gjitha sjelljet destabilizuese të regjimit. Kjo do të thotë se ne nuk jemi të fokusuar vetëm në programin atomik”, tha Haley dhe ka shtuar se “ne, po ashtu, po marrim qëndrim të fuqishëm në programin raketor balistik iranian, eksportin e armatimit dhe mbështetjen e regjimit për terroristët, luftëtarët lojalë dhe diktatorët”.

Armatimi i ekspozuar përfshinte edhe mbetje të asaj që zyrtarët amerikanë thanë se ishte raketë balistike iraniane me rreze të shkurtër veprimi, që ishte shkrepur nga Jemeni, muajin e kaluar, në një aeroport ndërkombëtar jashtë Riadit të Arabisë Saudite.

Aty ishte ekspozuar edhe një fluturake pa ekuipazh dhe armatim kundër tankeve, për të cilat zyrtarët thonë se ishin gjetur në Jemen nga forcat saudite.

“Ato, kanë mundur, po ashtu, ta bartin etiketën – e prodhuar në Iran”, tha Haley, duke theksuar se njëra prej pjesëve të raketave e ka logon e Grupit Industrial Shahid Bakeri, që është entitet iranian i mbrojtjes nën sanksione të Shteteve të Bashkuara, derisa pjesët e tjera kanë karakteristika unike, që janë gjetur vetëm në raketat iraniane.

“Vetëm Irani e prodhon këtë raketë, të cilën nuk ia ka dhënë askujt tjetër”, por vetëm kryengritësve huthi, tha zëdhënësja e Pentagonit, Laura Seal.

Rezoluta e Kombeve të Bashkuara, e miratuar lidhur me marrëveshjen madhore atomike të Iranit me fuqitë botërore, ia ndalon Teheranit furnizimin, shitjen apo transferin e armatimit, pa lejimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Një rezolutë tjetër e ndalon furnizimim me çfarëdo armatimi për liderin e kryengritësve huthi në Jemen.

Irani, që Arabinë Saudite e konsideron armik dhe rival për dominim në Lindjen e Mesme dhe për një kohë të gjatë i ka hedhur poshtë akuzat se dërgon armatim në Jemen, pretendimet e ambasadores Haley, për një sulm raketor më 4 nëntor, i ka cilësuar si “të papërgjegjshme, provokuese dhe shkatërruese”.

“Këto akuza, po ashtu, synojnë fshehjen e krimeve të luftës të sauditëve në Jemen, me ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe për ta shmangur vemendjen ndërkombëtare dhe rajonale nga rruga pa krye e agresionit kundër njrëzve në Jemen”, thuhet në deklaratën e misionit të Iranit në Kombet e Bashkuara.

Forcat e udhëhequra nga Arabia Saudite e mbështesin qeverinë e Jemenit dhe kanë luftuar kundër kryengritësve huthi në luftën civile, që po vazhdon në Jemen, për më tepër se dy vjet.

Arabia Saudite është njëri prej aleatëve më të afërt të Uashingtonit në Lindjen e Mesme, ndërsa Shtetet e Bashkuara janë furnizuesi madhor me armatim për ushtrinë saudite.

Të gjitha armatimet e ekspozuara nga ambasadorja Haley ishin dërguar në Uashington nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ka njoftuar Pentagoni.

Ambasada e Arabisë Saudite në Uashington tha se e mirëpret “dënimin amerikan të aktiviteteve armiqësore iraniane, me të cilat mbështeten dhe armatosen grupet terroriste, përfshirë milicitë terroriste, Hezbollah dhe huthi”.

Deklaratën amerikane e ka përshëndetur edhe Izraeli.

Por, një zëdhënës i kryengritësve huthi në Jemen, i ka hedhur poshtë këto deklarata si përpjekje e Shteteve të Bashkuara për ta shmangur vëmendjen nga lëvizja e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për ta pranuar Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, që gjërësisht është dënuar në botën arabe.

“Tregimi është i qartë, ata dëshirojnë tu paraqesin arabëve një tregim për ta shmangur vëmendjen nga Jerusalemi”, ka shkruar në rrjetin Twitter, zëdhënësi i kryengritësve huthi, Abdel-Malek al-Ejri.

Ministri i jashtëm i Iranit, Javad Zarif, në rrjetin Twitter ka shkruar se pretendimet e ambasadores Haley ia përkujtojnë atij pretendimin e ish-sekretarit amerikan të shtetit, Colin Powell, në vitin 2003, se Shtetet e Bashkuara kanë dëshmi bindëse se Iraku kishte armatim për shkatërrim masiv.

Por, pas okupimit të Irakut nga ana e Shteteve të Bashkuara, nuk është gjetur armatim i tillë.

Deklaratat e fundit amerikane u bënë pas hetimeve të Kombeve të Bashkuara për atë nëse Irani i ka furnizuar me dy raketa kryengritësit huthi në Jemen, që ishin shkrepur kundër Arabisë Saudite këtë vit. Por, raportohet se këto hetime nuk kanë arritur ndonjë konkluzë të fortë.

Associated Press dhe Agence Frans-Press kanë raportuar se zyrtarët e Kombeve të Bashkuara i kanë ekzaminuar mbetjet nga raketat dhe e kanë theksuar “origjinën e përbashkët”, por nuk kanë konkluduar se ato kishin ardhur nga furnizuesi iranian.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG