Ndërlidhjet

Macron: Deri në shkurt duhet ta fitojmë luftën kundër IS-it


Presidenti francez, Emmanuel Macron

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka thënë se fushata ushtarake kundër kryengritësve të grupit militant Shteti Islamik në Siri, duhet të përfundojë në muajin shkurt.

Kjo deklaratë vjen vetëm disa javë pasi është shpallur fitorja kundër ekstremistëve të IS-it në Irak.

“Më 9 dhjetor, kryeministri irakian, Haidar al-Abadi, ka shpallur fundin e luftës dhe fitoren kundër Shtetit Islamik, andaj mendoj që deri në mesin apo fundin e muajit shkurt ne do ta fitojmë luftën në Siri”, ka thënë ai gjatë një interviste televizive.

Ai ka shtuar se Parisi do të bëjë përpjekje për t'i përfshirë në negociatat për paqe të gjitha partitë, që kanë qenë pjesë e luftës gjashtëvjeçare.

Macron ka thënë se presidenti Bashar al-Assad nuk mund të injorohet nga negociatat, mirëpo lideri sirian një ditë duhet të përgjigjet për veprat e tij.

“Neve na duhet të flasim me secilin. Na duhet të flasim me Bashar al-Assad dhe përfaqësuesit e tij”, ka thënë Macron.

“Më pas ai duhet të përgjigjet për krimet e tij, para popullit dhe drejtësisë ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Në luftën civile në Siri janë vrarë më shumë se 400,000 persona, ndërsa miliona të tjerë janë larguar nga shtëpitë e tyre, nga fillimi i konfliktit më 2011.

Rusia dhe Irani mbështesin Assadin, derisa koalicioni i udhëhëqur nga Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë Francën, mbështesin forcat antiqeveritare.

Luftëtarët e grupit militant, Shteti Islamik kanë nisur luftën në këtë shtet ndonëse janë kundërshtuar nga të gjitha palët.

Më 2014 ky grup pati marrë nën kontroll një pjesë të madhe të territorit, mirëpo e ka humbur atë, pas sulmeve të ndyshme nga forcat qeveritare, ato të mbështetura nga SHBA-të dhe luftëtarët kurdë.

XS
SM
MD
LG