Ndërlidhjet

Egjipt: Tri vjet burg për ish-presidentin Morsi


Muhammad Morsi
Muhammad Morsi

Një gjykatë në Egjipt e ka dënuar ish-presidentin islamist, Muhammad Morsi, me tri vjet burg për akuza lidhur me ofendim të sistemit gjyqësor.

Kjo gjykatë në kryeqytetin Kajro ka vendosur sot se Morsi ka bërë shpifje kundër sistemit gjyqësor në një fjalim publik para katër vitesh, me “qëllim që të përhapet urrejtje”, ka raportuar Televizioni shtetëror.

Kjo gjykatë i ka dënuar edhe 18 vetë në këtë rast me nga tri vjet burg.

Pesë të akuzuar të tjerë, përfshirë aktivistin e njohur për demokraci, Alaa Abdel Fattah, janë dënuar me të holla në shumë prej 1,700 dollarësh amerikanë.

Morsi ishte presidenti i parë i Egjiptit i zgjedhur në votime të lira. Ai u përmbys nga ushtria në vitin 2013, pas protestave masive kundër sundimit të tij njëvjeçar, që ishte vlerësuar si përçarës.

Prej atëherë, ai ballafaqohet për disa akuza, përfshirë spiunim dhe konspiracion me grupe të jashtme.

Prej goditjes së vitit 2013 kundër islamistëve, në Egjipt janë burgosur mijëra pjesëtarë të grupeve të këtilla dhe aktivistë sekularë dhe liberalë.

XS
SM
MD
LG