Ndërlidhjet

Konflikti në Ukrainë “ka rritur përhapjen e HIV-it”


Donjeck, Ukrainë
Donjeck, Ukrainë

Konflikti në lindje të Ukrainës ka rritur përhapjen e virusit HIV në gjithë vendin, zbulon një studim i ri.

Donjecku dhe Luhansku, dy qytetet e mëdha në lindje, të ndikuara thellë nga dhuna që ka shpërthyer në vitin 2014, janë eksportuesit më të mëdhenj të HIV-it në pjesë të tjera të vendit, thuhet në raportin e revistës amerikane PNAS.

Ukraina ka normën më të lartë të HIV-it në Evropë, me rreth 220,000 të infektuar.

Studimi thotë se kriza e HIV-it në Ukrainë është bërë një “epidemi e heshtur”, sepse gjysma e njerëzve të infektuar nuk janë në dijeni se kanë infeksion dhe rreth 40 përqind e të diagnostikuarve të rinj janë në fazat e mëvonshme të sëmundjes.

Për të bërë studimin, një ekip ndërkombëtar i shkencëtarëve, të udhëhequr nga Universiteti Oxford, ka analizuar modelet e migrimit në Ukrainë në periudhën 2012-2015. Ata kanë gjetur lidhje midis lëvizjes së 1.7 milion njerëzve të zhvendosur nga lufta dhe përhapjes së HIV-it.

“Lufta ka ndryshuar shumë gjëra në Ukrainë dhe epidemia e HIV-it është njëra nga to”, tha autorja kryesore e raportit, Tetyana Vasylyeva, nga Universiteti Oxford.

Sipas studimit, infektimet e reja me HIV tani bëhen kryesisht me marrëdhënie seksuale, krahasuar me vitet ’90 kur shkak i tyre kanë qendë injeksionet e drogës.

XS
SM
MD
LG