Ndërlidhjet

Ndotja e ajrit kërcënon seriozisht shëndetin e popullatës


Foto nga arkivi

Cilësia e ajrit në kryeqytetin e Kosovës ka arritur në një nivel alarmant, duke tejkaluar të gjitha standardet e rekomanduara.

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka reaguar pas shifrave alarmante të ndotjes së ajrit në Prishtinë.

Ministrja, në një postim në llogarinë e saj në facebook, ka thënë se edhe ajo është e shqetësuar me këtë gjendje, por nuk ka dhënë asnjë zgjidhje të shpejtë se si të ndalet ndotja në kryeqytet.

Ajo ka shkruar se për këtë problem ka folur edhe me kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe sipas saj, janë pajtuar ta ndalin përdorimin e veturave në disa lagje të Prishtinës, si dhe ta bëjnë falas transportin publik.

“Ne u pajtuam që në periudhat kohore kur kemi tejkalime të mëdha të normave të lejuara të ndotjes së ajrit, të reduktojmë qarkullimin e veturave në disa lagje duke e bërë pa pagesë transportin publik, gjë që shumë shpejt shpresoj që do të realizohet”, ka shkruar ministrja Reshitaj.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike përmes një njoftimi të publikuar gjatë këtij muaji, thotë se në sezonin e dimrit, qyteti i Prishtinës është zhytur në smog që paraqet ndotje të kombinuar të ajrit me gazra, i cili vërehet gjithandej.

Sipas të dhënave të Ambasadës Amerikane vlerat e PM2.5 janë disa herë jashtë normales.

Ndërkohë, Partia Ekologjike e Kosovës, ka shprehur shqetësimin e thellë për gjendjen e ndotjes enorme në Kosovë, e në veçanti në Prishtinë dhe në rrethinën e saj.

"Me muaj të tërë, Prishtinën dhe rrethinën e saj e ka kapluar një ndotje e paparaparë. Pavarësisht shumë reagimeve tonat, të OJQ-ve dhe qytetarëve të Kosovës, ka kohë që nga institucionet e kompetente dhe Qeveria e Kosovës, nuk ndërmarrin asgjë, përveç se në ekranet tona televizive paraqiten duke konstatuar gjendjen e mjedisit", thuhet në reagimin e kësaj partie.

Ndotja e ajrit alarmon qytetarët
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:07 0:00

Edhe Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka reaguar pas njoftimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës për parametrat tejet të lartë të ndotjes së ajrit në Prishtinë dhe rrethinën e saj.

"Qe dy ditë nga këto alarme serioze nga institucione kredibile vendore dhe ndërkombëtare, nuk kemi as më të voglin reagim nga institucionet e shtetit të Kosovës, as nga Qeveria, ministria përkatëse, por edhe nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, si institucion kompetent për matjen dhe monitorimin e parametrave të cilësisë së ajrit në vendin tonë", thuhet në reagim.

Përveç kushteve atmosferike, termocentraleve të vjetra dhe gazrave që lëshojnë veturat e vjetra në qarkullim, një faktor tjetër i ndotjes është konstatuar të jetë edhe ngrohja me lëndë djegëse, siç është thëngjilli. Ministria e Mjedisit dhe Planifikim Hapësinor, me vendim ka ndaluar përdorimin e thëngjillit për ngrohje nga bizneset dhe ekonomitë familjare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG