Ndërlidhjet

Kryeministri Haradinaj pezullon vendimin për rritjen e pagave


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj përkohësisht deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese ka pezulluar vendimin për rritje të pagave për kabinetin qeveritar.

Vendimi i kryeministrit Haradinaj erdhi pasi që Agjencia Kundër Korrupsionit e kishte cilësuar të jashtëligjshëm vendimin për rritje të pagave nga ana e kabinetit qeveritar.

"Vendimin e AKK-së, lidhur me nivelizimin e pagave, e vlerësoj të paqëndrueshëm dhe të ndikuar politikisht. Për këtë vendim kemi dorëzuar përgjigje të qartë dhe kjo është e njohur për opinionin".

"Megjithatë, pas kërkesës së 30 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për nivelizim të pagave, të marrë më 20 dhjetor nga Qeveria e Kosovës, kam vendosur që përkohësisht, deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, ta kërkoj pezullimin e këtij vendimi”, ka shkruar kryeministri në Haradinaj në faqen e tij në facebook.

Ai ka theksuar se ‘ky pezullim godet më së shumti gjyqtarët dhe prokurorët, duke qenë se pagat e tyre janë të ndërlidhura drejtpërdrejt me vendimin për nivelizimin e pagave’.

Sipas vendimit të Qeverisë, paga e kryeministrit nga 1500 euro sa ka qenë, nga ky muaj do të bëhej 2950 euro, kurse e zëvendëskryeministrave nga 1300 euro, në 2500 euro.

Paga e një ministri ka qenë rreth 1200 euro, ndërkaq me vendimin e ri do të jetë 2000 euro. Kurse, rreth 70 zëvendësministrat e emëruar në Qeverinë Haradinaj, do të pranojnë pagë mujore nga 1150 euro.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG