Ndërlidhjet

Trump dhe Modi diskutojnë përmes telefonit për Afganistanin dhe myslimanët Rohingya


Presidenti amerikan, Donald Trump (djathas) dhe kryeministri indian, Narendra Modi (majtas), foto nga arkivi
Presidenti amerikan, Donald Trump (djathas) dhe kryeministri indian, Narendra Modi (majtas), foto nga arkivi

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se presidenti amerikan, Donald Trump ka biseduar përmes telefonit me kryeministrin indian, Narendra Modi, për të diskutuar tema rajonale, duke përfshirë luftën në Afganistan dhe gjendjen e vështirë të refugjatëve Rohingya në Burma.

Të dy liderët kanë përsëritur përkushtimin e tyre për sigurinë e Afganistanit, është thënë në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Uashingtoni ka njoftuar kohën e fundit se është duke pezulluar ndihmën për Pakistanin, pas supozimeve se Islamabadi ka ofruar streha të sigurta për militantët që po veprojnë në Afganistan.

Pakistan i hedh poshtë akuzat.

Në të njëjtën kohë, administrata amerikane ka nisur përpjekjet për të rritur marrëdhëniet ushtarake dhe ekonomike me Indinë, duke synuar balancimin e politikës së jashtme të Kinës në Azi.

India ka rritur ndihmën për Afganistanin në vitet e fundit dhe i ka premtuar Kabulit se do t’i ofrojë më shumë armë.

Trump dhe Modi kanë diskutuar edhe situatën e më shumë se 680,000 myslimanëve Rohingya, të cilët kanë ikur nga Burma për në Bangladeshin fqinj.

Forcat ushtarake në Burma janë akuzuar për keqtrajtim të mijëra civilëve Rohingya dhe djegien e fshatrave, pas sulmeve të militantëve Rohingya në verën e kaluar.

Burma e njohur ndryshe edhe si Mianmar, ka kundërshtuar sulmet ndaj civilëve duke thënë se në operacionin e tyre, synim kanë pasur ekstremistët Rohingya.

XS
SM
MD
LG