Ndërlidhjet

Shpend Ahmeti jep dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje


Shpend Ahmeti

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka dhënë dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në një letër që kanë publikuar mediat në Prishtinë, Ahmeti ka arsyetuar motivin pse e ka braktisur këtë parti pas shtatë vjetësh aktiviteti në të dhe nga e cila e ka nisur edhe mandatin e dytë si kryetar i Prishtinës.

“Sikurse edhe ju, qytetarë të nderuar, muajt e fundit kam vëzhguar një debat me dëme të pariparueshme për Lëvizjen Vetëvendosje, të cilin as armiqtë më të mëdhenj të LVV-së e të shtetit nuk do të mund as ta dizajnonin e as imagjinonin. Ende sot nuk po mund të besoj se ky debat ka ndodhur në mes të njerëzve që deri dje kanë qenë të gatshëm të vdesin për njëri-tjetrin”, ka shkruar mes tjerash Ahmeti.

Përplasjet në Vetëvendosje kanë dalë në sipërfaqe qysh në muajin dhjetor, pas publikimit të bisedave private ndërmjet disa deputetëve të këtij subjekti politik, ku ka pasur edhe shprehje fyese të drejtuara ndaj kryetarit të Lëvizjes, Albin Kurti.

Vetëvendosje po kalon një prej fazave më të rënda që nga themelimi, pavarësisht faktit që aktualisht ka 32 ulëse në Kuvend dhe përfaqëson, jo vetëm subjektin më të madh opozitar në Kosovë, por edhe partinë më të madhe në Kuvendin e Kosovës.

Nga postet udhëheqëse në këtë subjekt politik kanë dhënë dorëheqje ish kryetari, Visar Ymeri, ish-Sekretari Organizativ, Dardan Molliqaj, nënkryetarët dhe zyrtarët tjerë, që sipas analistëve është parë si mundësi për ndarjen e këtij subjekti politik në dy blloqe.

Për shkak të krijimit të dy blloqeve politike, ishte pikërisht Shpend Ahmeti që bashkë me deputetin Glauk Konjufca kishin marrë si mision negociatat e brendshme për tejkalimin e ndasive.

“Jam munduar personalisht të luaj një rol ndërmjetësuesi për tejkalim të problemeve, por shpejtë e kam kuptuar që dallimet ishin tepër të thella. Kam shkuar në mbledhjet e fundit të Këshillit dhe kam marrë pjesë në procesin zgjedhor gjithmonë me shpresë se do të mund të tejkalohen dallimet. Por ja që kjo ishte e pamundur”, ka shkruar Ahmeti.

“Kjo nuk do të thotë se Albini, Visari, e Dardani e krejt të tjerët nuk kane të drejtë në mendimin e tyre. Sigurisht se ata do të luftojnë për të vërtetën e tyre. Secilit i dëshiroj sukses në ndjekjen e qëllimeve të veta, në qoftë se i kanë të mira. Ndoshta rrugët na bashkohen prapë, por për mua tashmë me arsye, kushte e metoda tjera”, ka nënviyuar ai në letrën ku ka arsyetuar dorëheqjen.

Në tetor të vitit të kaluar, përmes zgjedhjeve lokale, Ahmeti ka fituar mandatin e dytë në postin e kryetarit të Prishtinës.

XS
SM
MD
LG