Ndërlidhjet

Trump: Bisedimet me liderin verikorean do të jenë "jashtëzakonisht të suksesshme"


Presidenti amerikan, Donald Trump, foto nga arkivi

Presidenti amerikan, Donald Trump i ka parashikuar bisedimet me liderin verikorean, Kim Jong Un, si “jashtëzakonisht të suksesshme”.

Lideri amerikan ka thënë më 10 mars se Pheniani ka premtuar që të mos testojë më ndonjë raketë derisa të nisin bisedimet.

Bisedimet mes dy liderëve janë planifikuar për muajin maj.

“Mendoj që Koreja Veriore do të jetë shumë e mirë, mendoj se do të kemi sukses të jashtëzakonshëm. Mendoj se kjo do të jetë diçka shumë e suksesshme. Ne kemi shumë mbështetje”, u ka thënë Trump gazetarëve.

“Kshtu që mendoj se Koreja Veriore do të jetë shumë e mirë. Ata kanë premtuar se nuk do të testojnë ndonjë raketë gjatë kësaj kohe dhe do të shikojnë mundësinë e denuklearizimit. Kjo do të ishte e shkëlqyer”.

Më herët më 10 mars, Trump përmes një tjetër postimi në Twitter është shprehur i kënaqur që Kina po ndjek një zgjidhje diplomatike për krizën lidhur me programin bërthamor të Koresë Veriore, sesa ndonjë “aleternativë ogurzezë”.

Ai po ashtu ka thënë se Japonia është “shumë e entuziazmuar” për bisedimet potenciale.

Më 8 mars, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Trump është pajtuar të takohet në maj me liderin verikorean, Kim Jong Un, në përpjekje për të arritur një marrëveshje, ashtu që Pheniani të largojë armët bërthamore nga Gadishulli Korean.

XS
SM
MD
LG