Ndërlidhjet

Trump shkarkon Tillersonin, emëron Pompeon


Rex Tillerson (majtas) dhe Mike Pompeo.
Rex Tillerson (majtas) dhe Mike Pompeo.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e shkarkoi nga pozita sekretarin e Shtetit, Rex Tillerson, duke e zëvendësuar atë me drejtorin e CIA-s, Mike Pompeo.

Duke e falënderuar Tillersonin për shërbimin e tij, në një postim në Twitter, Trump tha se sekretari i ri i Shtetit do të bëjë "një punë fantastike".

Tillerson, ish-shef ekzekutiv i kompanisë së naftës ExxonMobil, ka marrë detyrën më 1 shkurt të vitit 2017.

Trump po ashtu emëroi Gina Haspelin për drejtore të CIA-s - gruan e parë në këtë pozitë.

Duke folur për gazetarët jashtë Shtëpisë së Bardhë, Trump tha se dallimet e tij me Tillersonin janë shndërruar në "kimi personale".

"Kemi kaluar mjaft mirë, por nuk jemi pajtuar në disa gjëra", tha Trump.

"Sa i përket marrëveshjes bërthamore me Iranin, unë mendoj se është e tmerrshme. Ai ka menduar se është në rregull. Unë kam dashur ta prish atë ose të bëj diçka në lidhje me të, ndërsa ai ka menduar pak më ndryshe. Pra, nuk kemi menduar njësoj", tha Trump.

"Me Mike Pompeon, kemi proces shumë të ngjashëm të të menduarit. Mendoj se do të funksionojë mirë", shtoi Trump.

Tillerson nuk ka folur me Trumpin përpara se të shkarkohej dhe “nuk është në dijeni për arsyen”, tha përmes një deklarate nënsekretari i Shtetit, Steve Goldstein.

“Diplomati i lartë amerikan ka synuar të mbetet në detyrë për shkak të përparimit të prekshëm në çështje kritike të sigurisë kombëtare”, tha Goldstein.

Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha se Trump ka dashur të organizojë ekipin përpara bisedimeve të planifikuara me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, si dhe për negociatat e vazhdueshme për tregtinë.

Spekulime se Tillerson mund të shkarkohet ka pasur që disa muaj.

Tetorin e kaluar, ai është detyruar të thërrasë një konferencë për media, për të mohuar raportet se ai po shqyrton largimin nga puna.

Në vjeshtë, ndërkaq, Trump e ka nënvlerësuar publikisht Tillersonin, duke shkruar në Twitter se ai "po humb kohën e tij" duke bërë përpjekje që të negociojë me Korenë e Veriut për programin e saj bërthamor.

Për Pompeon, Trump po ashtu tha se ai “do të vazhdojë programin për përmirësimin e qëndrimit të Amerikës në botë, do të forcojë aleancat, do të përballet me kundërshtarët dhe do të bëjë përpjekje për të denuklearizuar Gadishullin Korean”.

Pompeo tha se nëse konfirmohet si sekretar i Shtetit nga ligjvënësit amerikanë, ai do të përfaqësojë popullin amerikan te pjesa tjetër e botës.

Gina Haspel, e cila i është bashkuar CIA-s në vitin 1985, ka mbajtur disa pozita të larta drejtuese në të kaluarën.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG