Ndërlidhjet

Rusia injoron ultimatumin e Britanisë për sulmin me agjent nervor


Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov

Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov ka mohuar sërish çdo përfshirje të Rusisë në helmimin e ish-spiunit rus në Britani, duke thënë se Moska nuk do të pranojë akuzat apo ultimatumet e Londrës zyrtare.

Këto komente të Peskov vijnë në kohën kur kryeministrja britanike, Theresa May pritet të shpallë një sërë masash kundër Rusisë, pasi kjo e fundit nuk ka përmbushur afatin e saj për të shpejguar se si një agjent nervor, prodhim rus, është përdorur për të helmuar ish-spiunin rus, Sergei Skripal dhe të bijën e tij Yulia.

Peskov ka thënë se shpreson se çdo masë e ndërmarrë nga Londra duhet të bazohen në “arsye” të shëndoshë, duke paralajmëruar se veprimet kundër Moskës do të shkaktojnë kundërpërgjigje. Por, megjithatë, ai nuk ka shpejguar se për çfarë kundërpërgjigje mund të bëhet fjalë.

Ndërkaq, kryeministrja May pritet të takohet me zyrtarët e lartë të inteligjencës dhe më pas do t’iu adresohet ligjvënësve britanikë.

Moska më herët ka thënë se nuk do t’i përgjigjet ultimatumit të Britanisë derisa nuk i jepet qasje në substancën kimike të përdorur në sulm.

Zyra e kryeministres May tha se ajo ka marrë mbështetje nga presidenti amerikan, Donald Trump, me të cilin janë pajtuar gjatë një bisede telefonike se Moska “duhet të ofrojë përgjigje të qarta për atë se si është përdorur agjenti nervor”.

XS
SM
MD
LG