Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Vendimi i Listës Serbe që ta braktisë Qeverinë e Kosovës, si dhe ultimatumi i këshilltarëve të komunave me shumicë serbe, të cilët i takojnë këtij subjekti politik, se do ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, nëse Prishtina zyrtare nuk e formon atë deri me 20 prill, mund ta ndërlikojnë situatën në Kosovë, nga e cila do të dalin humbës vetë serbët, vlerësojnë njohësit serbë të zhvillimeve politike.

Ultimatumi për Prishtinën zyrtare ka ardhur të mërkurën, dy ditë pasi që Lista Serbe ka braktisur Qeverinë e Kosovës, pas ngjarjeve të ditës së hënë në Mitrovicë të veriut, ku nga Policia e Kosovës është arrestuar shefi i zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq.

Rangjel Nojkiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, thotë për Radion Evropa e Lirë se ngjarjet e fundit, nga e hëna e deri të mërkurën, tregojnë se të dyja palët, institucionet e larta të Kosovës, por edhe Lista Serbe prapa së cilës qëndron Beogradi zyrtar, kanë tentuar të përfitojnë poenë politikë pozitivë, por, sipas tij, njerëzit që kanë marrë pjesë në këto ngjarje, në fakt janë, siç i quan ai, dëme anësore.

Sipas tij, kjo situatë, dalja e Listës Serbe nga ekzekutivi dhe sidomos ultimatumi i kësaj të fundit për formimin e Asociacionit është dashur të shmangen, për t’i ikur situatës së komplikuar, e cila tash është prezente.

“Pa marrë parasysh që Beogradi, por edhe serbët (e Kosovës), thonë se për ta nuk vlejnë ligji dhe Kushtetuta e Kosovës, por vlen marrëveshja e Brukselit dhe se ajo është diçka më e madhe, edhe në atë marrëveshje të Brukselit qëndron në mënyrë të qartë se pas marrëveshjes (për Asociacionin) ajo shkon në Gjykatë Kushtetuese që ajo ta japë vlerësimin. Në qoftë se kjo shkon në Gjykatë Kushtetuese, atëherë do të thotë se kjo gjykatë do ta vlerësojë se a është në përputhje me Kushtetutën ose jo. Prandaj, ata që e kanë nënshkruar një marrëveshje të tillë, është dashur që të presin diçka të tillë”, thotë Nojkiq.

Ai shton se zgjidhja për Asociacionin nuk mund të imponohet përtej asaj që qëndron në marrëveshjen e Brukselit.

Por, për ish-deputetin tjetër serb të Kuvendit të Kosovës, Petar Miletiq, ultimatumi i përfaqësuesve të serbëve në institucione, në këtë rast i Listës Serbe, është tepër i vonuar.

Sipas tij, këtë është dashur ta bëjnë përfaqësuesit e serbëve, të cilët patën dalë nga zgjedhjet e para ku ata kanë marrë pjesë. Por, në situatën e tanishme, ai e konsideron tërësisht të gabueshëm ultimatumin e Listës Serbe.

“Mendoj se e gjithë kjo është një inatosje e njërës palë. Mendoj se pa mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe me kundërshtimin e sigurt të shqiptarëve të Kosovës, gjegjësisht të Qeverisë së Kosovës, ajo bashkësi e komunave serbe nuk do të ketë sukses që të funksionojë në atë mënyrë që t’ua lehtësojë jetën serbëve të Kosovës. Në fakt, ky do të jetë edhe një hap kah largimi i serbëve dhe shqiptarëve dhe një hap më larg nga pajtimi dhe bashkëjetesa”, thotë Miletiq.

Haradinaj flet për mbijetesën e Qeverisë pas largimit të Listës Serbe
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:02 0:00

Por, cilat mund të jenë efektet ose pasojat në rast se këshilltarët e komunave me shumicë serbe, si dhe drejtuesit politikë të Listës Serbe, duke anashkaluar Prishtinën zyrtare, e formojnë në mënyrë të njëanshme Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe kërkojnë financimin nga Beogradi zyrtar?

Nojkiq vlerëson se ky veprim do të çonte drejt një situate aspak të sigurt politikisht për serbët e Kosovës.

“Unë frikësohem se një veprim i tillë mund të ketë një varg pasojash negative për bashkësinë serbe. Mjaft gjëra që sot funksionojnë, në të ardhmen nuk do të mund të funksionojnë, vetëm për t’u penguar funksionimi i Bashkësisë së komunave serbe. Kjo është mjaft e rrezikshme dhe mendoj se ata që sjellin vendime të tilla, duhet të llogarisin për pasojat që mund të ndodhin. Këtu ekziston pastaj hapësira që Prishtina gjithsesi mund ta shfrytëzojë dhe të thotë: ‘Ndal, deri më tash është punuar kështu, më nuk mundet dhe kërkojmë që të respektohet në tërësi ligji’. Këtu përfundon rrëfimi ”, shprehet Nojkiq.

Mendim të ngjashëm ka edhe Miletiq. Sipas tij, në rast se përfaqësuesit e serbëve të Kosovës e formojnë asociacionin me veprim të njëanshëm, kjo do të ngrejë shumë pikëpyetje.

“Këtu do të ngrihet jo vetëm çështja e financimit, por edhe çështja e kompetencave, ingerencave, funksionalitetit dhe pastaj në çfarë mase autoritetet e Kosovës do të përpiqen që ta bllokojnë. Mendoj që në tërësi hapet një ‘Kuti e Pandorës’, thjesht prej tekeve. Pra, frikësohem se e gjithë kjo po shkon në drejtim të gabuar”, thotë Miletiq.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë deklaruar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të bëhet vetëm sipas verdiktiti të Gjykatës Kushtetuese dhe nga institucionet legale të Kosovës. Siç kanë theksuar ata, çdo iniciativë e njëanshme do të jetë e dënuar për dështim.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG