Ndërlidhjet

Thaçi e Haradinaj i bëjnë thirrje Serbisë të mos përzihet rreth Asociacionit


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj kanë diskutuar rreth zhvillime në veri të vendit si dhe janë zotuar se Kosova do t’i respektojë obligimet që ka marrë në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Dy krerët e institucioneve të larta, sipas një komunikate për media, kanëbiseduar edhe për funksionalizimin e Ekipit Menxhues për themelimin e Asociacionit në një të ardhme të afërt, gjithmonë sipas parimeve të Brukselit, Kushtetutës së Kosovës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Tonet kërcënuese nga Serbia nuk do të kenë asnjë efekt në Kosovë. Institucionet e Kosovës vlerësojnë se dialogu dhe jo ultimatumet është rruga për të ecur përpara për ndërtimin e Kosovës evropiane dhe shumetnike”, është thënë në takim.

Reagimi i tyre pasoi takimin e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës nga dhjetë komunat me shumicë serbe, nga i cili doli një lloj ultimatumi drejtuar Qeverisë së Kosovës se nëse nuk e formon Asociacionin e komunave deri më 20 prill, ky organ do të themelohet njëanshëm nga këta përfaqësues.

Për këtë hap ata kanë marrë paraprakisht edhe mbështetjen nga Beogradi zyrtar.

Nëse Prishtina zyrtare dhe Perëndimi nuk e formojnë Asociacionin apo Bashkësinë e komunave me shumicë serbe deri më 20 prill, atëherë këtë do ta bëjnë vetë përfaqësuesit serbë edhe me çmimin se do të arrestohen.

Kjo është porosia nga mbledhja e kryetarëve dhe këshilltarëve të dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila u mbajt në Mitrovicën Veriore.

Mbledhja e Listës Serbe në Mitrovicë
Mbledhja e Listës Serbe në Mitrovicë

Mbledhja e përfaqësuesve serbë kishte dy çështje në rend dite: e parë ishte ajo për situatën politike dhe të sigurisë në veri të Kosovës dhe e dyta lidhur me raportimin e kryetari të Listës Serbe, Goran Rakiq, pas takimit me presidenti e Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Mbledhjes i janë përgjigjur 120 këshilltarë të komunave nga 152 sa janë gjithsej.

​Ministri i Administrimit të Pushteti Lokal në Qeverinë e Kosovës, Ivan Todosijeviq u tha të pranishmëve se "popullit serb të Kosovës do t'iu ndihmojë Serbia dhe Zoti".

Ai ka theksuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe 'është çështje politike kulmore dhe obligim ndërkombëtar'.

"Nëse Perëndimi dhe Prishtina nuk dëshirojnë ta formojnë Bashkësinë e komunave serbe, ne e kemi të drejtën e plotë legjitime që vetë ta marrin fatin në duar tonë dhe ta formojmë Bashkësinë e komunave serbe", tha Todosijeviq.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq tha se subjekti të cilin e drejton dhe si përfaqësuese kryesore e serbëve të Kosovës do të kërkojë përgjegjësi nga institucionet në Prishtinë për rrahjet brutale të para dy ditëve në veri të Mitrovicës.

Ai tha po ashtu se nëse nuk fillohet shpejt me formimin e Asociacionit, serbët vetë do ta bëjnë një gjë të tillë .

“Asociacioni nuk është kundër askujt, por është institucion edhe i serbëve edhe i shqiptarëve edhe i goranëve edhe i romëve. Policia dhe KFOR-i duhet të ofrojnë sigurinë e çdo qytetarit. Në veçanti thërras fqinjët tanë, shqiptarët mos bini në provokime. Së bashku do të ruajmë qetësin. Ne jemi për qetësi dhe paqe dhe dua të paraqes një porosi të presidentit Vuçiq se ai dhe shteti serb nuk do të lejojë që serbët të maltretohen apo vriten", tha Rakiq.

Deputeti i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Igor Simiq ka njoftuardeputetët e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, do të jetë opozitë e fuqishme për të gjitha nismat e Qeverisë së Kosovës.

Nga ana tjetër, Halil Matoshi, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj thotë për Radion Evropa e Lirë se Asociacioni do të formohet vetëm në bazë të verdiktit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

"Pozicioni i Qeverisë së Republikës së Kosovës është i njohur për qytetarët e Kosovës dhe për miqtë ose aleatët strategjikë të saj se Asociacioni i komunave më shumicë serbe do të bëhet vetëm sipas verdiktiti të Gjykatës Kushtetuese dhe nga institucionet legale të Kosovës. Ndërkaq, çdo iniciativë unilaterale do të jetë e dënuar për dështim", tha Matoshi.

Në konkluzionet e nxjerra, përfaqësuesit e komunave serbe përveç afatit deri më 22 prill që i kanë dhënë Qeverisë së Kosovës, kanë parashikuar edhe hapat tjerë që do të ndjekin.

Statuti i Asociacionit/Bashkësisë së komunave serbe, sipas këtyre konkluzioneve do të hartohet në bashkëpunim me Prishtinën dhe Beogradin, sipas Marrëveshjes së Brukselit, por pa marrë parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Njëherësh është kërkuar që për shkak të dhunës së përdorur të hënën, gjatë arrestimit të Marko Gjuriqit, ministri i Punëve të Brendshme dhe drejtori i Policisë së Kosovës të japin dorëheqje.

Turma reagon teksa Gjuriq sjellet nga policia në Prishtinë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:56 0:00

Lista Serbe ka marrë vendim të martën që të dalë nga Qeveria e Kosovës. Për këtë vendim asaj i është dhënë dhe mbështetja nga Beogradi zyrtar.

Nga zyra e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është thënë se në koordinim me drejtuesit e institucioneve të lata të Kosovës janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për funksionalizimin e Ekipit menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Përfaqësuesit e Lista Serbe në vazhdimësi ka përsëritur qëndrimin dhe kërkesën se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të formohet sipas marrëveshjes fillestare të vitit 2013 dhe jo sipas marrëveshjes së vitit 2015, ngase kjo e dyta parasheh që statuti dhe çdo vendim në lidhje me formimin e Asociacionit të kalojnë përmes interpretimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut në Bruksel, kishin arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013, e cila, ndër tjera, parasheh edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në gusht të vitit 2015, është arritur marrëveshja e cila specifikon formimin e Asociacionit, në të cilën marrëveshje, në mënyrë të qartë thuhet se Asociacioniformohet sipas ligjeve të Kosovës dhe që Gjykata Kushtetuese është e obliguar të shpallë kushtetutshmërinë.

XS
SM
MD
LG