Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Familjarët e të deportuarve u drejtojnë letër publike deputetëve të Kosovës


Familjarët e të deportuarve duke pritur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës

Familjarët e gjashtë shtetasve turq të arrestuar dhe deportuar për në Turqi, u kanë drejtuar një letër publike deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Përmes kësaj letre ata kanë shprehur shqetësimin lidhur me situatën e krijuar pas deportimit. Ndërkohë që u kanë kërkuar deputetëve të Kosovës që ata të angazhohen për mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe të shtetasve të tjerë të huaj që jetojnë në Kosovë.

Letra drejtohet në emër të, siç thuhet, “familjeve të të kidnapuarve dhe të deportuarve kundërligjshëm në Republikën e Turqisë”.

“Ne si familjarë të të kidnapuarve dhe më vonë të deportuarve kundërligjshmen nga Republika e Kosovës, përkundër dhimbjes sonë për atë që ka goditur më të dashurit tanë dhe rendin Kushtetues të Republikës së Kosovës, shprehim mirënjohjen për veprimet e ndërmarra nga institucionet e shtetit të Kosovës për zbardhjen e këtij rasti deri në detajin e fundit dhe rikthimin e kredibilitetit në institucionet e vendit duke i shqiptuar dënimin e merituar të gjithë atyre që me veprimet e veta personale apo të ndërlidhura me të tjerët kanë keqpërdorur kompetencat ligjore të besuara atyre duke shkaktuar pasojat ligjore dhe shoqërore për të cilat Republika e Kosovës pretendohet të i mbrojë dhe është përgjegjëse për respektojë, mbrojë dhe sigurojë masa të nevojshme që pasoja të tilla ligjore e shoqërore të mos shkaktohen”, theksohet në letër.

Megjithatë, familjarët konsiderojnë se vetëm formimi i trupave hetuese dhe punuese në zbardhjen e këtij rasti nuk do të jenë të mjaftueshme për të siguruar funksionalizimin e tyre, nëse punonjësit e tyre nuk merren në përgjegjësi nga organet e kontrollit parlamentar apo kontrollet e tjera me fryme demokratike të cilat edhe mund të i japin notën e besueshmërisë këtyre hetimeve dhe rezultateve të dala nga këto hetime.

“Përndryshe edhe këto hetime do të humbnin qëllimin e tyre dhe do të rivendosnin standardin e para disa ditëve kur edhe familjarët tanë u deportuan kundërligjshëm nga Republika e Kosovës përmes të veprimeve të atyre që iu është dhënë besimi në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe për punë në shërbim të tyre”, thuhet në letër.

“Me shpresën që të bashkëndjeni me ne dhe të kërkoni rivendosjen e të drejtave tona Kushtetuese në vend, ju bëjmë të ditur se ndjehemi të rrezikuar si për vete ashtu edhe për familjarët tanë të deportuar kundërligjshëm në Turqi. Andaj, konform rendit Kushtetues dhe kompetencave tuaja, kërkojmë nga ju që përmes veprimeve tuaja të kërkoni aprovimin e masave ligjore të cilat do të mund të siguronin mbrojtje nga pasoja të kidnapimeve/deportimeve të kundërligjshme për ne dhe për të gjithë shtetasit e huajt në Kosovë të cilët ndodhën në situata të ngjashme me ne”, vijon letra.

Aty rekomandohet që të bëhet një plotësim ndryshimin i ligjit për të huajt, me qëllim të plotësimit të zbrastësirave ligjore dhe kufizimit të kompetencave vetanake të institucioneve të caktuara të cilat kanë sjellë deri te kjo ngjarje në mënyrë që situata të tilla të mos përsëriten më.

Familjarët u kërkojnë deputetëve që t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme në mënyrë që ata të kërkojnë llogaridhënie dhe ndërmarrje të veprimeve të institucioneve për të qenë të njoftuar për gjendjen dhe ndikuar në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të të deportuarve ne Turqi.

XS
SM
MD
LG