Ndërlidhjet

Platforma, përpjekje për konsensus rreth dialogut me Serbinë


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Platforma e hartuar nga Qeveria e Kosovës për dialogun me Serbinë, e cila pret edhe miratimin e Kuvendit, është përpjekje për arritjen e një konsensusi gjithëpërfshirës për marrëveshjen përfundimtare të dialogut, thonë analistët politik në Prishtinë.

Sipas tyre, sa më shumë që po afrohet faza finale e bisedimeve, si Prishtina ashtu edhe Beogradi do të përpiqen që t’i japin dinamikë procesit, sipas pozicioneve të tyre politike. Por, potencohet po ashtu se rolin vendimtar rreth fazës finale do ta ketë në këtë rast edhe Bashkimi Evropian si lehtësues i procesit të bisedimeve.

Politologu Ramush Tahiri, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova, ende nuk ka platformë të qartë dhe një synim se si do të përfundojnë këto bisedime. Ai tutje shton se kjo platformë është paralajmëruar tash e një kohë në mënyrë që të ketë një konsensus kombëtar për vazhdimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi që, sipas tij, edhe më herët kryeministri kishte deklaruar që këto bisedime kanë arritur në “rrugë qorre”.

“Me këtë platformë me aq sa është prezantuar teksti, është thënë se synohet normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe gjithashtu synohet integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian. Kjo platformë do të debatohet në Kuvendin e Kosovës dhe aty do të arrihet konsensusi i plotë ndërmjet pozitës dhe opozitës dhe nëse miratohen edhe vërejtjet që do t’i japë në ndërkohë opozita, ai do të jetë me një konsensus të plotë, dhe do të miratohet si rezolutë e cila për dallim nga rezolutat e mëhershme që i kemi pasur, tash synohet që të jetë obligative për delegacionin e Kosovës” tha Tahiri.

Në anën tjetër, Artan Muhaxhiri, analist politik, thotë se i tërë dialogu është përcjellë me paqartësi dhe me mungesë të zbatimit konkret të marrëveshjeve, duke shtuar se është shumë vështirë që kjo gjë të ndryshohet tani.

“Sa i përket platformës së Qeverisë, ajo duket paksa e përgjithësuar dhe është pak e pritshme që edhe opozita të jetë pjesë e miratimit të saj. Opozita ka pasur vërejtje të mëdha ndaj qasjes qeveritare në këtë dialog. Është e logjikshme që ajo të vazhdojë me këtë qasje dhe të mos bëhet pjesë e angazhimeve qeveritare sa i përket dialogut”.

“Dialogu është në një rrugë qorre, është bllokuar dhe nuk ka ndonjë mënyrë që vet palët, Kosova apo Serbia, të ndikojë në dinamizmin e tij dhe këtë mund ta bëjë vetëm Brukseli. Prandaj derisa Brukseli të mos jetë aktiv në rritjen e kualitetit të dialogut është e pritshme që qasjet e tilla, qoftë nga Kosova apo Serbia, të kenë ndikim konkret”, tha Muhaxhiri.

Ndërkaq, Ramush Tahiri mendon se opozita do të përfshihet në procesin e miratimit e kësaj platforme.

“Unë pres përfshirje të opozitës në proces të miratimit pasi do të hapet debati. Qeveria e ka miratuar pa një debat të gjerë pasi e ka konsideruar si një platformë themelore. Në Kuvend sigurisht se do të ketë në disa seanca debat dhe do të inkorporohet në rezolutë”, shtoi tutje Tahiri.

Gjatë prezantimit të platformës para qeverisë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se hartimi i platformës ka pasuar takimet e shumta me presidentin Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli si dhe debatet e organizuara në lidhje me negociatat me Serbinë, ku kanë marrë pjesë edhe partitë politike.

Haradinaj tha se është me rëndësi që në Kuvendin e Kosovës janë të përfaqësuara të gjitha partitë, andaj edhe aty mund të zhvillohet debati gjithëpërfshirës rreth kësaj platforme.

Në platformën e hartuar, e cila pret miratimin e Kuvendit, roli udhëheqës në dialogun me Serbinë i besohet presidentit të shtetit. Ky i fundit, obligohet që në baza të rregullta ta informojë Kuvendin e Kosovës për bisedimet që zhvillohen në Bruksel.

Si rezultat final, platforma synon që Kosova dhe Serbia, me lehtësimin e BE-së, të arrijnë një marrëveshje ndërkombëtare, ligjërisht të obligueshme për të dyja palët, dhe e cila për Kosovën do të ratifikohej nga Kuvendi si organi më i lartë.

Përmes marrëveshjes finale me Serbinë, e cila do të nënkuptonte normalizimin e raporteve, Kosova mëton të sigurojë heqjen e barrierave të krijuara për anëtarësimin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në Bashkimin Evropian dhe strukturat e organizatat, strukturat e mekanizmat tjerë ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG