Ndërlidhjet

Irani thotë se do t'i hakmerret Izraelit për sulmet në Siri


Alaeddin Boroujerdi, kryetar i Komitetit për Siguri Kombëtare i Parlamentit iranian.
Alaeddin Boroujerdi, kryetar i Komitetit për Siguri Kombëtare i Parlamentit iranian.

Një ligjvënës i lartë iranian paralajmëroi se vendi i tij do të hakmerret kundër, siç u shpreh, agresionit të Izraelit në Siri, pasi sulmet me raketa, këtë javë, vranë 26 luftëtarë, kryesisht iranianë, në një bazë ushtarake të Sirisë.

"Do të përgjigjemi kundër çdo agresioni ndaj Iranit në kohë të duhur dhe vend të duhur", tha Alaeddin Boroujerdi, kryetar i Komitetit për Siguri Kombëtare të Parlamentit iranian.

"Agresioni i njësisë sioniste mbi këshilltarët tanë në Siri na garanton të drejtën e përgjigjes. Ne jemi në Siri me kërkesë të Qeverisë siriane", tha Boroujerdi pasi takoi presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad, në Damask.

Komentet e tij janë në të njëjtën frymë me ato të udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, i cili ka thënë se koha kur armiqtë e Iranit "mund ta godasin dhe të ikin, ka marrë fund".

Përgjegjësinë për sulmet e 29 prillit në bazën siriane nuk e ka marrë askush, por ato pasojnë disa sulme të dyshuara të Izraelit brenda Sirisë.

XS
SM
MD
LG