Ndërlidhjet

Maqedoni: Kërkohet më shumë tolerancë ndëretnike


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi

Drejtuesit e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, me rastin e festës së Fitër Bajramit edhe këtë vit kanë përcjellë mesazhe paqeje dhe tolerance, duke theksuar se toleranca ndërfetare dhe ajo ndëretnike është më se e rëndësishme në një shtet shumetnik dhe me fe të ndryshme, siç është Maqedonia.

“Duhet të bëjmë Bajram, duhet t’i shtrijmë dorën vëllait, duhet t’i shtrijmë dorën mikut, duhet të jemi tolerant edhe ndaj armikut dhe duhet të jemi tolerant me gjithë”, ka theksuar kryetari i Bashksisë Fetare Islame të Maqedonisë, Sulejman Rexhepi.

Ndërkaq, ekspertë për marrëdhënie ndëretnike konsiderojnë se bllokimi i proceseve integruese u ka mundësuar qarqeve të ndryshme nacionaliste që për vite të tëra të ushqejnë gjuhën e urrejtjes mbi baza etnike dhe fetare në momente të caktuara, duke theksuar se është paradoksale që në protesta kundër marrëveshjes për çështjen e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, të bëhen thirrje nacionaliste dhe ofenduese ndaj shqiptarëve.

Ndryshe, pas arritjes së marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë për ndryshimin e emrit të shtetit, në “Maqedonia e Veriut”, një grup protestuesish maqedonas, të organizuar përmes rrjeteve sociale, që kishin dalë të protestojnë para institucioneve të shtetit kundër marrëveshjes, kanë përdorur gjuhë të urrejtjes kundër shqiptarëve duke brohoritur “le ta dinë shqiptarët e mallkuar se ne nuk do ta japim emrin”.

Sociologu maqedonas, Ilia Acevski duke komentuar këto veprime për Radion Evropa e Lirë thekson se strukturat politike në Maqedoni, ndër vite i kanë shfrytëzuar tensionet etnike dhe fetare për të fituar pushtetin ose për ta mbajtur më gjatë atë. Sipas tij, është pikërisht anëtarësimi në strukturat evropiane dhe në Aleancën Veri-Atlantike që me zgjdhje e kontestit mes dy vendeve për emrin, do t’ua heq nga duart këtë monedhë shumë fitimprurëse elitës politike në vend.

“Partitë politike, gjuhën e urrejtjes për një kohë të gjatë, më shumë se një dekadë, e kanë shfrytëzuar si mjet për të arritur në pushtet dhe për të qëndruar sa më gjatë në të. Megjithatë, duhet theksuar se numri i atyre që përdorin gjuhën e urrejtjes mbi baza etnike dhe fetare është gjithnjë e më i vogël dhe kjo tregon se kohërat po ndryshojnë”.

“Mbase, do të thosha nxitja e urrejtjes mbi baza etnike dhe fetare do të zgjasë më së shumti edhe pesë apo gjashtë vjet, gjersa të themi ashtu, Maqedonia të fillojë të notojë qetë në ujërat e shteteve me demokraci të zhvilluar”, thotë Aceski.

Hasan Jashari, ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, për Radion Evropa e Lirë sjell më shumë shembuj nga Evropa ku popuj të ndryshëm, që kanë qenë konflikt me njëri-tjetrin, kanë lënë pas vetes antagonizmat dhe bashkërisht kanë ndërtuar të ardhmen.

“Një shembull i mirë të themi është ai mes Gjermanisë dhe Francës, të cilët kanë qenë kundërshtar të mëdhenj, madje duke bërë luftë meritoresh siç qe ajo në Luftën e Parë Botërore, e cila ishte një luftë e madhe e përgjakshme dhe ata arritën ta tejkalojnë këtë. Edhe në rastin tonë duhet të shkohet në atë drejtim, që aspekti ekonomik i integrimeve të ndikojë pozitivisht te raportet mes qytetarëve të Maqedonisë", thotë Hasani.

Njohësit e çështjeve politike thonë se qytetarët e Maqedonisë e kanë kuptuar se nacionalizmi si dhe gjuha e urrejtjes mbi baza etnike apo fetare, nuk u sjellë asnjë të mirë. Megjithatë grupe të caktuara ndërmarrin veprime të tilla për interesa të caktuara, përderisa institucionet nuk veprojnë që t’i dënojnë këta individë. Ndërtimi i shtetit të Maqedonisë, duke u bazuar në vlerat evropiane thonë ata, do të zhbëjë qarqet nacionaliste maqedonase.

XS
SM
MD
LG