Ndërlidhjet

Rohanit i kërkohen shpjegime për ekonominë e dobët


Presidenti i Iranit, Hassan Rohani.

Ligjvënësit iranianë i dhanë presidentit Hassan Rohani një muaj kohë për të dalë në interpelancë para parlamentit, në lidhje me pakënaqësitë në rritje të publikut me gjendjen ekonomike.

Ligjvënësit duan ta pyesin Rohani për rritjen e dobët ekonomike, rritjen e papunësisë dhe rënien dramatike të monedhës kombëtare, rial, raportoi agjencia iraniane e lajmeve ISNA.

Ata po ashtu duan që presidenti të shpjegojë se përse, edhe mbi dy vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes bërthamore midis Iranit dhe fuqive botërore, bankat iraniane kanë vetëm qasje të kufizuar në shërbimet globale financiare.

Rohani është duke u përballur me kritika në rritje prejse Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga marrëveshja bërthamore në muajin maj dhe kanë thënë se do të rivendosin sanksione kundër Iranit - duke nxitur zhvlerësimin e monedhës rial.

Me marrëveshjen e vitit 2015, Iranit i janë hequr sanksionet në këmbim të kufizimit të programit bërthamor.

Të martën, fotografitë dhe videot e postuara në rrjetet sociale kanë treguar qindra njerëz të mbledhur në disa qytete iraniane, përfshirë Isfahanin dhe Karajin, në shenjë proteste ndaj inflacionit të lartë, të shkaktuar pjesërisht nga riali i dobët.

Adminstrata e Rohanit e ka zëvendësuar tashmë guvernatorin e bankës qendrore dhe ka marrë masa të tjera për të rritur monedhën.

XS
SM
MD
LG