Ndërlidhjet

Protestuesit kërkojnë shkarkimin e komandantit të Policisë së Gjakovës


"Edhe sa thirrje të humbura", bilbord i vendosur në Prishtinë nga grupi Haveit, ku kritikoheshin organet e rendit në parandalimin e vrasjeve të grave në Kosovë.
"Edhe sa thirrje të humbura", bilbord i vendosur në Prishtinë nga grupi Haveit, ku kritikoheshin organet e rendit në parandalimin e vrasjeve të grave në Kosovë.

Dhjetëra persona kanë protestuar sot në Prishtinë kundër dhunës dhe vrasjeve në Kosovë.

Me parullat “Boll ma drejtësi selektive, “Boll ma dhunë institucionale”, qytetarët marshuar drejt stacionit qendër në Prishtinë, ku kërkuan shkarkimin e komandantit të Policisë së Gjakovës, dhe policëve që ishin në detyrë, në kohën kur i dyshuari, Pjetër Ndrecaj vrau gruan e tij, Valbona Marku- Ndrecaj 40-vjeçe dhe vajzën e tyre 9-vjeçe.

Vrasja e dyfishtë që ndodhi ditë më parë në një fshat të Gjakovës, ka shtyrë që protestuesit e sotëm në Prishtinë, të kërkojnë përgjegjësi nga institucionet.

“Institucionet tona nuk kryejnë detyrat siç duhet dhe nuk japin përgjegjësi dhe askush nuk kërkon llogari nga ta. Çfarë shteti është ky që nuk mund të mbrojë jetën qytetarëve të vet. Çfarë shteti është ky që e lejon të vdesë një nënë dhe një fëmijë”, tha Luljeta Aliu, organizatore e protestës.

“Të gjithë duhet të dalim dhe të kërkojmë shkarkimin e policëve në Gjakovë, që kanë qenë aty dhe nuk e kanë parasysh detyrën e tyre. Ne kërkojmë shkarkimin e komandantit të Policisë së Gjakovës. Kërkojmë llogaridhënie prej ministrisë, kërkojmë llogaridhënie prej të gjithë pushtetarëve, pasi nuk po funksionojnë gjykatat”, tha Aliu.

Ndaj të dyshuarit Pjetër Ndrecaj për vrasjen e dyfishtë në Gjakovë është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Ndryshe, Inspektori Policor i Kosovës ka nisur hetimet ndaj policëve, për të parë nëse ka pasur lëshime në rastin e vrasjes së dyfishtë. Autoritetet kanë thënë se viktima, Valbona Marku-Ndrecajkishte njoftuar organet e rendit se ishte kërcënuar me anë të një mesazhi telefonik nga ish-bashkëshorti, në ditën kritike.

Një marsh protestues është mbajtur në qytetin e Gjakovës të premten. Në këtë marsh, që ishte organizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës, u kërkua përgjegjësi nga institucionet përgjegjëse për këtë dhe rastet e tjera të dhunës në familje.

XS
SM
MD
LG