Ndërlidhjet

Shtatë vjet burgim për dy gazetarë të Reutersit në Mianmar


Gazetari Wa Lone, i dënuar me shtatë vjet burgim.

Një gjykatë në Mianmar ka dënuar dy gazetarë të agjencisë së lajmeve Reuters me shtatë vjet burgim, për shkelje të aktit për sekrete shtetërore, derisa ata kanë qenë duke hulumtuar për dhunën kundër myslimanëve Rohingya.

Wa Lone dhe Kyaw Soe Oo, janë arrestuar teksa kanë qenë duke shikuar dokumente zyrtare, të cilat u janë dhënë nga zyrtarët policorë.

Ata kanë deklaruar pafajësinë e tyre, duke thënë se janë mashtruar nga policia.

Përveç tjerash, ky rast është konsideruar test për lirinë e shtypit në Mianmar.

“Unë nuk kam frikë”, ka thënë Wa Lone, një nga dy gazetarët pas shpalljes së vendimit.

“Nuk kam bërë asgjë të keqe. Unë besoj në drejtësi, demokraci dhe liri”, është shprehur ai.

Të dy burrat, që kanë familje me fëmijë të vegjël, janë burgosur prej kur janë arrestuar në dhjetor të vitit 2017.

“Sot është një ditë e pikëlluar për Mianmarin, gazetarët e Reutersit, Wa Lone dhe Kyaw Seo Oo dhe lirinë shtypit gjithandej”, ka thënë kryeredaktori i Reutersit, Stephen Adler.

Të dy gazetarët janë shtetas të Mianmarit, të cilët kanë qenë duke punuar për agjencinë ndërkombëtare të lajmeve.

Gjyqtari, Ye Lwin i ka thënë gjykatës në Yangon se të dy kanë “tentuar të dëmtojnë interesat e shtetit”.

Wa Lone, 32 vjeçar dhe Kyaw Soe Oo, 28 vjeçar kanë qenë duke mbledhur të dhëna për ekzekutimin e 10 burrave nga ushtria në një fshat në shtetin Rakhine.

Autoritetet më vonë kanë nisur hetim për këto vrasje, duke konfirmuar se ka ndodhur masakër dhe kanë premtuar se do të marrin masa kundër personave që kanë qenë të përfshirë në këtë sulm.

XS
SM
MD
LG