Ndërlidhjet

Trump shpreson se do të bisedojë me liderin jugkorean për K.Veriore këtë muaj


Presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu i tij jugkorean, Moon Jae-in.

Presidenti jugkorean, Moon Jae-in dhe presidenti amerikan, Donald Trump shpresojnë të diskutojnë për Korenë Veriore në margjina të takimeve në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork këtë muaj, ka njoftuar zyra e liderit jugkorean të martën.

Moon dhe Trump kanë folur për 50 minuta në telefon, një ditë para se të dërguarit e posaçëm të Moonit, të arrijnë në Phenjan për të diskutuar rreth mbajtjes së ndonjë samiti të tretë këtë muaj në mes të liderit jugkorean dhe homologut të tij verikorean.

Samiti i planifikuar në mes të dy Koreve vjen pas vendimit të Trumpit për të anuluar vizitën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo në Phenjan.

Moon dhe Trump janë pajtuar përmes telefonit që të “shqyrtojnë mundësinë e takimit me njëri-tjetrit në kuadër të takimit në OKB, lidhur me atë se si të bashkëpunojnë në çështjet e Gadishullit”, ka thënë zyra e Moon-it në një deklaratë.

Lideri verikorean, Kim Jong-un pati premtuar në një samit të pashembullt me Trumpin në Sinhapor për të punuar drejt denuklearizimit të plotë të Gadishullit Korean, mirëpo të dyja palët kanë bërë pak proges në atë aspekt.

Më herët gjatë ditës, shefi jugkoreaan për siguri kombëtare, Chung Eui-yong, ka thënë se ai do të dërgojë një letër nga Moon për Kimin gjatë vizitës së tij në Korenë Veriore, pa dhënë detaje tjera.

Chung ka thënë se dëshiron të diskutojë me zyrtarë të Phenjanit për mënyra si të arrihet denuklearizimi i plotë në Gadishullin Korean.

XS
SM
MD
LG