Ndërlidhjet

Trumpi thuhet t'i ketë kërkuar ndihmë Pakistanit për arritjen e paqes në Afganistan


Ministri pakistanez i Informacionit, Fawad Chaudhry.
Ministri pakistanez i Informacionit, Fawad Chaudhry.

Pakistani ka thënë se presidenti amerikan, Donald Trump i ka nisur një letër kryeministrit pakistanez, Imran Khan, duke i kërkuar ndihmë në bisedimet për arritjen e paqes në Afganistan.

Ministri pakistanez i Informacionit, Fawad Chaudhry ka thënë më 3 dhjetor se presidenti Trump “ka kërkuar nga Pakistani bashkëpunim për të dërguar talibanët para tavolinës së bisedimeve”.

Chaudhry ka thënë se në letrën e Trumpit, Pakistanit i është kërkuar të ketë rol në bisedimet për paqe, ashtu që t’i jepet fund luftës 17 vjeçare në Afganistan.

Ende nuk ka pasur asnjë konfirmim nga Shtëpia e Bardhë lidhur me nisjen e një letre të tillë, e cila do të shënonte komunikimin e parë të drejtpërdrejtë në mes të dy liderëve prej kur Imran Khan ka ardhur në pushtet në muajin gusht.

Trump ka kritikuar Pakistanin prej kur ka prezantuar strategjinë e tij për Afganistanin dhe Azinë Jugore, pavarësisht përpjekjeve të të dyja qeverive për të rregulluar problemet që kanë dëmtuar marrëdhëniet e tyre.

Talibanët kanë refuzuar që të bisedojnë drejtpërdrejt me Qeverinë e Afganistanit, duke thënë se ata do të negociojnë vetëm me Shtetet e Bashkuara.

Militantët po ashtu kanë thënë se forcat e NATO-s, duhet të largohen nga Afganistani para se të nisin negociatat.

Diplomatët amerikanë u kanë bërë thirrje talibanëve në javën e kaluar që të “shfrytëzojnë mundësinë” për të nisur bisedime për paqe me Qeverinë afgane të përkrahur nga Perëndimi dhe të negociojnë një zgjidhje për përfundim të konfliktit.

XS
SM
MD
LG