Ndërlidhjet

Haradinaj përsërit: Taksa anulohet kur Serbia ta njohë Kosovën


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përsëriti qëndrimin e tij se taksa prej 100% që u ka vënë Kosova prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, do të hiqet vetëm kur Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Këto komente, Haradinaj i bëri në një konferencë për media në Prishtinë, pas takimit me komisionarin e Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Johannes Hahn.

“Ne do ta respektojmë vendimin e qeverisë dhe ky vendim mund të anulohet me rastin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Ne do të punojmë që tani të nënshkruajmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse (me Serbinë), ku do të jetë tema për të zhdukurit, borxhet... dhe një ndër temat do të jetë edhe njohja”, tha Haradinaj.

Sipas kryeministrit Haradinaj, qytetarët serbë të Kosovës nuk janë të rrezikuar nga taksa ndaj importeve të Serbisë dhe Bosnjës.

“Serbët nuk janë të rrezikuar nga ky vendim. Lista e produkteve që një qytetar mund t’i blejë është e gjatë dhe ka një shumë të caktuar që mund ta fusë në Kosovë pa taksë, por taksa vlen për importet nga Serbia dhe Bosnja”, tha Haradinaj, përkundër thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar për ta hequr këtë detyrim doganor.

Ai foli edhe për procesin e liberalizimit të vizave dhe tha se komisionari Hahn ka shprehur skepticizmin e tij se në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të ministrave të BE-së, Kosova me gjasë nuk do të futet në agjendë.

Këshilli i ministrave të Brendshëm të BE-së mban takim të rregullt më 6 dhe 7 dhjetor.

XS
SM
MD
LG