Ndërlidhjet

Trump i shkruan Thaçit: Shfrytëzojeni momentin për marrëveshje historike me Serbinë


Presidenti amerikan, Donald Trump dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Presidenti amerikan, Donald Trump dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se i mirëpret përpjekjet e Kosovës për pajtim me Serbinë.

Ai i ka bërë këto komente në një letër drejtuar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Dështimi për të kapitalizuar këtë mundësi unike do të ishte ngecje tragjike, sepse një mundësi tjetër për paqe gjithpërfshirëse nuk ka gjasa të ndodhë shpejt. Ju bëj thirrje juve dhe liderëve të Kosovës që të shfrytëzoni këtë moment unik, të flisni me një zë të unifikuar gjatë bisedimeve për paqe dhe të përmbaheni nga veprimet që do ta bënin të vështirë arritjen e një marrëveshjeje”, thuhet në letrën e presidentit Trump.

E njëjta thekson se SHBA-ja ka investuar shumë në suksesin e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.

“Ne duam që vendi juaj të ketë sukeses”, ka thënë Trump.

“Ne jemi të gatshëm t’i ndihmojmë përpjekjet e juaja për të arritur një marrëveshje, e cila balancon interesat edhe të Kosovës, edhe të Serbisë”, është shprehur Trump.

Në letër po ashtu thuhet se Trump do të jetë nikoqir i presidentëve të Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, në Shtëpinë e Bardhë, për të festuar atë që do të jetë një "marrëveshje historike".

Ndërkohë, presidenti Thaçi përmes një postimi në Twitter e ka falënderuar presidentin Trump për mbështetjen e pavarësisë së Kosovës dhe përpjekjet për arritjen e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Gjithashtu pres që të festojmë paqen përfundimtare në Shtëpinë e Bardhë, duke i hapur rrugë Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, Bashkimin Evropian dhe Kombet e Bashkuara”, ka shkruar Thaçi.

XS
SM
MD
LG