Ndërlidhjet

Sekretari Pompeo dhe këshilltari Bolton do të vizitojnë Lindjen e Mesme


Këshilltari për siguri kombëtare, John Bolton dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo
Këshilltari për siguri kombëtare, John Bolton dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo dhe këshilltari për siguri kombëtare John Bolton do të vizitojnë Lindjen e Mesme.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se sekretari Pompeo do të vizitojë tetë shtete – Jordaninë, Egjiptin, Bahrejnin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Arabinë Saudite, Omanin dhe Kuvajtin – në vizitën që do të nisë më 8 janar.

Një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit u ka thënë gazetarëve se mesazhi kryesor i Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo gjatë kësaj vizite do të jetë se “Shtetet e Bashkuara nuk po largohen nga Lindja e Mesme”.

Ndërsa, një zyrtar tjerët ka thënë se gjatë vizitës në Arabinë Saudite, Pompeo do të flasë për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi dhe do të kërkojë përgjegjësi dhe kredibilitet nga udhëheqësia saudite, sa i përket kësaj çështjeje.

Ndërkaq, këshilltari Bolton sotpritet të takohet me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe më pas ai do të vizitojë Turqinë, ku do të shoqërohet nga gjenerali Joseph Dunford, që është shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane.

Në vizitën në Turqi po ashtu do të marrë pjesë edhe diplomati amerikan James Jeffery, i cili aktualisht është përfaqësues i posaçëm për Sirinë, njëherësh i dërguari i SHBA-së në koalicionin botëror në luftën kundër grupit militant, Shteti Islamik.

Ata priten që t’i bëjnë presion zyrtarëve turq që të mos nisin ofensivë ndaj luftëtarëve kurdë në Siri.

SHBA-ja ka njoftuar se do të tërheqë 2000 trupat e saj nga Siria, të cilat kanë qenë aty për t’i ofruar mbështetje aleancës së forcave arabe dhe kurde në luftën kundër IS-it.

Ankaraja zyrtare i akuzon luftëtarët kurdë të Sirisë se kanë lidhje me kryengritësit kurdë në Turqi dhe është zotuar se do t’i largojë ata nga zona kufitare ndërmjet Turqisë dhe Sirisë.

XS
SM
MD
LG