Ndërlidhjet

Kryeministri i Kosovës nuk sheh “klimë të mirë” për ta vizituar SHBA-në


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se klima e krijuar me taksën nuk është e përshtatshme që ai të vizitojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Lutjet e Mëngjesit.

I pyetur për vizitën në SHBA, Haradinaj ka theksuar se ka pranuar ftesë për Lutje të mëngjesit, por se nuk do të shkojë atje për momentin.

“Me këtë klimën me taksën nuk shkoj kësaj here por duhet pritur të shkoj më vonë”, është shprehur ai.

Paraprakisht, zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se zyra e kryeministrit nuk ka pranuar përgjigje zyrtare nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në lidhje me kërkesën për pajisje me vizë nga ana e kryeministit, Ramush Haradinaj.

“E vetmja arsye e udhëtimit të kryeministrit në SHBA, do të ishte pjesëmarrja në organizimin e Lutjes së Mëngjesit”, ka deklaruar Gashi.

Më parë, stacioni televiziv “Al Jazeera Balkans” pohoi se duke u bazuar në burime nga Departamenti amerikan i Shtetit, kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i është refuzuar viza amerikane për shkak të tarifës ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës dhe se ai nuk do të mund të marrë pjesë në një konferencë për Ballkanin në fillim të shkurtit.

Mospjesëmarrjen në këtë konferencë, e ka konfirmuar për këtë stacion televiziv edhe njëri nga organizatorët.

Gjatë ditës së hënë, mediat në Kosovë raportuan se Këshilli për Siguri Kombëtare dhe Departamenti i Shtetit iu kanë dërguar një dokument tetë pikësh institucioneve të Kosovës ku kërkojnë heqjen e menjëhershme të tarifës ndaj mallrave serbe, në të kundërtën institucionet kosovare do të përballen me sanksione amerikane.

Megjithatë, të hënën, kryeministri Haradinaj deklaroi se Prishtina do ta shfuqizojë tarifën vetëm nëse pranon garanci ndërkombëtare që marrëveshja përfundimtare me Serbinë do të rezultojë me njohjen e ndërsjellë.

XS
SM
MD
LG