Ndërlidhjet

Siria thotë se koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja ka sulmuar ushtrinë e saj


Siri, fotografi nga arkivi.
Siri, fotografi nga arkivi.

Një zyrtar i ushtrisë siriane thotë se koalicioni që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara ka sulmuar një pozicion të artilerisë së ushtrisë në lindje të vendit. Sipas këtij zyrtari, nga sulmi janë plagosur dy ushtarë dhe është shkatërruar një top.

“Avionët e koalicionit të SHBA-së nisën një agresion kundër një prej formacioneve të ushtrisë siriano-arabe që operon në zonën e Albukamal, në juglindje të Deir al-Zor”,citohet të ketë thënë ky zyrtar ushtarak lidhur me sulmin, i cili raportohet të ketë ndodhur më 2 shkurt.

Vendi ku ka ndodhur sulmi gjendet pranë zonës kufitare, ku forcat siriane po luftojnë kundër militantëve të Shtetit Islamik.

Zëdhënësi i koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja, koloneli Sean Ryan tha se “forcat tona partnere janë sulmuar dhe kanë ushtruar të drejtën e tyre për vetëmbrojtje”. Ai shtoi se lidhur me këtë incident kanë nisur hetimet.

Forcat e udhëhequra nga SHBA-ja – ku përfshihen Forcat Demokratike Siriane (SDF), një grup i milicive siriane që udhëhiqen nga kurdët e YPG-së – po luftojnë kundër militantëve që kanë mbetur në disa zona në Siri.

IS-i tashmë ka nën kontroll vetëm disa fshatra në Siri, pasi më 2017 humbi pothuajse kontrollin e gjithë territorit, pas sulmeve nga SDF-ja, por edhe nga ushtria siriane, që mbështetet nga Rusia.

Koloneli Ryan tha se IS-i kontrollon “dy fshatra” përgjatë lumit Eufrat, duke shtuar se koalicioni pritet që t’i largojë shumë shpejt militantët nga kjo pjesë. Ai tha se shumica e luftëtarëve të mbetur të IS-it janë shtetas të huaj.

XS
SM
MD
LG