Ndërlidhjet

Greqia ratifikon protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO


Parlamenti grek
Parlamenti grek

Parlamenti i Greqisë ratifikoi protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë fqinje në NATO, duke i dhënë fund kontestit shumëvjeçar të emrit midis Shkupit dhe Athinës.

Ligjvënësit votuan me 153 vota për dhe 140 kundër.

Votimi u zhvillua pasi ish-republika jugosllave ka arritur marrëveshje me Greqinë, vitin e kaluar, për të ndryshuar emrin e saj në Maqedoni të Veriut.

Marrëveshja tashmë është ratifikuar nga parlamentet e të dyja vendeve.

Greqia i ka bllokuar për gati tri dekada përpjekjet e Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian, duke thënë se emri i fqinjit të saj nënkupton se ai mund të ketë pretendime territoriale ndaj një rajoni grek me po të njëjtin emër.

Marrëveshja për emrin e ri është arritur nga kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, dhe homologu i tij grek, Alexis Tsipras.

Më 6 shkurt, ministri i Jashtëm maqedonas, Nikola Dimitrov, ka nënshkruar protokollin për anëtarësim në NATO, që është një hap i rëndësishëm për një vend që synon të bëhet anëtar i aleancës ushtarake.

Maqedonia ka thënë më herët se pret që Greqia të jetë anëtari i parë i NATO-s që do ta ratifikojë protokollin, pas të cilit vendi do të fillojë të quhet me emrin e ri - Maqedoni e Veriut.

Miratimi i protokollit pritet të bëhet edhe nga vendet e tjera të NATO-s.

XS
SM
MD
LG