Ndërlidhjet

SHBA-ja thërret mbledhje të Këshillit të Sigurimit për krizën në Venezuelë


Dhoma e mbledhjeve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë presionin ndaj presidentit të kontestuar të Venezuelës, Nicolas Maduro, duke vendosur sanksione të reja ndaj katër guvernatorëve të Venezuelës. SHBA-ja po ashtu iu bëri thirrje aleatëve të ngrijnë asetet ndaj kompanisë shtetërore të naftës në Venezuelë.

Uashingtoni ka thirrur për të martën një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të diskutuar krizën në Venezuelë.

Departamenti i Thesarit i SHBA-së, njoftoi për sanksionet e reja ndaj zyrtarëve të Venezuelës përderisa zëvëndëspresidenti Mike Pence u takua në Kolumbi me udhëheqësin e opozitës së Venezuelës, Juan Guaido.

"Në ditët në vijim Shtetet e Bashkuara do të shpallin sanksione edhe më të forta mbi rrjetet financiare korruptive të regjimit” tha zëvëndëspresidenti Pence.

Pence tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kanë premtuar 56 milionë dollarë për të ndihmuar fqinjët e Venezuelës në mënyrë që të përballen me hyrjen masive të migrantëve që largohen nga vendi.

Udhëheqës i opozitës, Juan Guaido, e deklaroi veten president të përkohshëm të vendit në fund të janarit.

Ai është njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende perendimore.

Presidenti i kontestuar i Venezuelës, Nicolas Maduro, mbështetet nga Rusia, Kina, Meksika dhe një sërë vendesh tjera.

Kriza në Venezuelë është thelluar ditëve të fundit pasi presidenti i kontestuar, Nicolas Maduro, vendosi mbylljen e kufijve për të mos lejuar ndihmat e huaja të hyjnë në vend.

Miliona banorë të Venezuelës janë duke u përballur me krizën e furnizimit me ushqim përderisa ekonomika e vendit është e shkatërruar nën udhëheqjen e Maduros.

XS
SM
MD
LG