Ndërlidhjet

Netanyahu do të vizitojë Trumpin në Shtëpinë e Bardhë, në prag të zgjedhjeve


Vetëm dy javë para zgjedhjeve në Izrael, kryeministri Benjamin Netanyahu do të zhvillojë një vizitë në Shtëpinë e Bardhë të hënën, disa ditë pasi presidenti Donald Trump deklaroi se është koha që SHBA-ja ta njohë sovranitetin e Izraelit në Rrafshnaltën e Golanit.

Para kthimit në Izrael të enjten, Netanyahu mund të pres një mirëseardhje të ngrohtë nga Trump, i cili po ashtu do të jetë nikoqir i një darke me të.

Ditë më parë, përmes një postimi në Twitter, presidenti Trump deklaroi se Rrafshnalta e Golanit ka rëndësi strategjike dhe të sigurisë për Izraelin dhe rajonin.

“Pas 52 vitesh është koha që Shtetet e Bashkuara të njohin plotësisht sovranitetin e Izraelit mbi Rrafshnaltën e Golanit, që është e një rëndësie strategjike dhe të sigurisë për Izraelin dhe stabilitetin rajonal”, shkroi presidenti amerikan, Donald Trump.

Izraeli e mori nën kontroll këtë territor nga Siria pas luftës së vitit 1967. Siria vazhdimisht ka kërkuar të rikthejë sovranitetin mbi rajonin.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, menjëherë reagoi duke falenderuar presidentin Donald Trump.

"Në një kohë kur Irani kërkon të përdorë Sirinë si një platformë për të shkatërruar Izraelin, Presidenti Trump pranon me guxim sovranitetin izraelit mbi Rrafshnaltën e Golanit” tha Netanyahu.

Ky veprim i presidentit Trump ishte parë si mbështetje ndaj Netanyahut në zgjedhjet qendrore. Trump deri tani ka plotësuar dy “dëshira në listën e Netanyahut”, njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit dhe lëvizjen e ambasadës amerikane nga Tel Avivi, në maj të vitit të kaluar.

XS
SM
MD
LG