Ndërlidhjet

Komediani, Volodymyr Zelenskiy udhëheq në zgjedhjet për president në Ukrainë


Volodymyr Zelenskiy.

Komediani pa përvojë politike, Volodymyr Zelenskiy, ka fituar më së shumti vota në raundin e parë te zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë, bazuar në rezultatet e sondazheve dhe rezultatet e para të komisionit zgjedhor.

Zelenskiy është thënë të ketë fituar 30.4 për qind të votave derisa presidenti aktual, Petro Poroshenko 17.8 për qind.

Që të dy këta kandidatë, që kanë bërë deklarata pro-evropiane, pritet të garojnë sërish muajin e ardhshëm.

“Jam shumë i lumtur, mirëpo ky nuk është hapi i fundit”, është cituar të ketë thënë Zelenskiy.

Poroshenko në anën tjetër e ka përshkruar këtë rezultat si “mësim të ashpër”.

Për dallim nga Zelenskiy dhe Poroshenko, ish-kryeministrja, Yulia Tymoshenko duket se është eliminuar nga gara.

Ministria e Brendshme e Ukrainës ka thënë se janë raportuar qindra shkelje të procesit zgjedhor, derisa vëzhguesit e jashtëm kanë thënë se ky proces është realizuar kryesisht mirë.

Garës për president i janë bashkuar 39 kandidatë, mirëpo asnjëri nuk ka fituar 50 për qind të votave, çka do të rezultojë me raund të dytë mes dy kandidatëve me më së shumti vota më 21 prill.

Presidenti ukrainas ka fuqi të rëndësishme për siguri, mbrojtje dhe politikë të jashtme të shtetit.

XS
SM
MD
LG