Ndërlidhjet

Konfirmohet vdekja e parë nga kolera në Mozambik


Beira, Mozambik

Vdekja e parë nga kolera u konfirmua në qytetin Beira të Mozambikut.

Ky qytet, më 14 mars, u godit nga cikloni Idai, i cili shkaktoi përmbytje masive dhe vrau mbi 700 njerëz në pjesën jugore të Afrikës.

Që nga ajo kohë, mbi 500 raste të kolerës janë raportuar në Beira.

Përpjekjet e ekipeve mjekësore në Mozambik janë përqendruar tani në frenimin e sëmundjes.

Një fushatë e madhe vaksinimi është në zhvillim e sipër.

Numri i të prekurve me kolerë ka arritur në 517 të dielën, nga 271 sa ka qenë të shtunën, bëri të ditur drejtori kombëtar i Asistencës Mjekësore në Mozambik, Ussene Isse.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se së paku 900,000 doza vaksinash do të arrijnë këtë javë në Beira.

Zyrtarët kanë paralajmëruar se shpërthimi i kolerës mund të arrijë përmasa epidemike, raporton BBC.

Qindra-mijëra njerëz janë zhvendosur pas ciklonit, duke u ekspozuar ndaj kushteve të dobëta të higjienës.

Disa prej tyre kanë pasur pak ose aspak qasje në ujë të pastër të pijshëm për më shumë se një javë.

XS
SM
MD
LG