Ndërlidhjet

Ushtria e Sudanit u kërkon protestuesve të shpërndahen


Kartum, Sudan
Kartum, Sudan

Udhëheqësit ushtarakë të Sudanit i urdhëruan protestuesit të çmontojnë barrikadat që kanë ngritur në rrugët e kryeqytetit Kartum.

Protestuesit, në anën tjetër, duan që Këshilli Ushtarak, i cili ka marrë udhëheqjen e Sudanit pas rrëzimit të presidentit Omar al-Bashir, t'ia lëshojë vendin administratës civile.

Udhëheqësit e protestave thanë se kanë ndërprerë lidhjet me Këshillin Ushtarak, duke e cilësuar atë si "mbetje" të regjimit të Bashirit.

Ushtria tha se do të angazhohet për dorëzimin e pushtetit dhe se do të konsiderojë formimin e një këshilli të përbashkët ushtarak-civil, por insistoi se është përgjegjëse për sigurinë në vend.

"Nuk mund të vazhdojë kështu", tha kreu i Këshillit Ushtarak, gjenerali Abdel Fattah Abdelrahman Burhan, duke iu kërkuar protestuesve që të shpërndahen.

Nuk është ende e qartë nëse protestuesit do t'i përgjigjen thirrjes.

Bashir - një nga udhëheqësit që ka shërbyer më së gjati, përkatësisht nga viti 1989 - është përmbysur nga ushtria më 11 prill dhe është dërguar në burg.

Rënia e tij ka pasuar disa muaj trazira që kanë filluar në dhjetor, për shkak të rritjes së çmimeve.

Dhjetëra njerëz janë vrarë në protesta.

XS
SM
MD
LG