Ndërlidhjet

OSBE/ODIHR: Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, mirë të organizuara


Zgjedhjet e 21 prillit në Maqedoninë e Veriut

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut ishin të organizuara mirë, kurse dita e votimit ishte e qetë, e rregullt dhe transparente, thuhet në vlerësimin e parë të misionit ndërkombëtar vëzhgues të OSBE/ODIHR-it, të prezantuar në Shkup, një ditë pas rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale.

“Zgjedhjet janë zhvilluar pa pengesa dhe kjo tregon se kur ka vullnet të vërtetë politik, mund të organizohen zgjedhje demokratike. Shpresoj se autoritetet vendore dhe partitë politike do të vazhdojnë të punojnë në këtë frymë. Reformat zgjedhore që ka rekomanduar më parë ODIHR, duhet të përfundojnë, me theks të veçantë te transparenca, llogaridhënia dhe financimi i fushatës”, tha Korin Jonker, shefe e misionit vëzhgues të ODIHR-it, apo Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut.

Vlerësim të ngjashëm dha edhe Serin Moborg, koordinatore e posaçme dhe drejtuese e misionit afatshkurtër të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

“Kjo qasje konstruktive duhet të vazhdojë edhe në raundin e dytë, sikur edhe në të ardhmen. Sinqerisht, shpresoj se pas zgjedhjeve do të punohet në miratimin e legjislaturës koherente zgjedhore dhe përfundimisht të zgjidhen sfidat afatgjate të procesit zgjedhor”, tha Moborg.

Por, vëzhguesit ndërkombëtarë shprehën brengosje lidhur me daljen e ulët të qytetarëve në votime.

Në zgjedhjet e së dielës votuan 42.03% e qytetarëve me të drejtë vote.

Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR-it do të qëndrojë në Maqedoninë e Veriut për të monitoruar edhe raundin e dytë zgjedhor që do të mbahet më 5 maj.

Në balotazh do të përballen: Stevo Pendarovski, kandidat i 31 partive në pushtet, të udhëhequra nga Lidhja Social-Demokrate, dhe Gordana Siljanovska, kandidate e opozitës.

Lexoni edhe këtë: Pendarovski dhe Siljanovska në garë shumë të ngushtë për president

XS
SM
MD
LG