Ndërlidhjet

Pendarovski dhe Siljanovska në garë shumë të ngushtë për president


Banerët e fushatës elektorale të kandidatëve Pendarovski dhe Siljanovska
Banerët e fushatës elektorale të kandidatëve Pendarovski dhe Siljanovska

Dallimi i ngushtë i votave në zgjedhjet për president të Maqedonisë së Veriut, prej më pak se një për qind, përkatësisht vetëm 4 mijë e 500 vota në mes dy kandidatëve që janë futur në balotazh, Stevo Pendarovskit dhe Gordana Siljanovska Davkovës, i ka shtyrë ata që në paraqitjen e parë pas shpalljes së rezultateve, të futen në gjah për votat e shqiptarëve që votuan për kandidatin Blerim Reka, vota këto të cilat do të jenë vendimtare për përcaktimin e fituesit në zgjedhjet presidenciale.

Raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit të Maqedonisë së Veriut do të mbahet më 5 maj, ku do të përballen dy kandidatët që janë klasifikuar të parët në zgjedhje, Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska Davkova.

Por, për tu zgjedhur njëri nga dy kandidatët president i Maqedonisë së Veriut, duhet të plotësohet kushti për daljen në zgjedhje të paktën 40 për qind e trupit elektoral, e që pa daljen e shqiptarëve në zgjedhje, kjo gjë vështirë është e realizueshme.

Kjo është dhe arsyeja kryesore që garuesit i shtynë të motivojnë shqiptarët të dalin në zgjedhje.

Ndërkohë që liderët e dy partive shqiptare që mbështetën kandidatin e pavarur Blerim Rekën për president të shtetit, Zijadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët dhe Billall Kasami nga Lëvizja Besa, kanë theksuar se në asnjë mënyrë nuk do të lejojnë të bëhen pazare me 80 mijë votat e shqiptarëve.

“Qëndrimi jonë si alencë për shqiptarët është është po i njëti ai që e tha edhe profesor Blerim Reka, ne jemi kundër “aksham pazareve të cilat janë bërë formë dhe mënyrë e bërjes politikë në Maqedoninë e Veriut dhe ky është motivi kryesor që po largohen qytetarët nga vendi”, ka theksuar Sela.

“Votuesi shqiptar votoi për konceptin e Republikës që promovoi profesor Blerim Reka, votuesi shqiptar votoi për dëshpërimin që kanë bartur partitë që janë pjesë e qeverisë dhe në asnjë moment nuk përfaqësojnë shqiptarët aty, dhe në asnjë moment nuk mbrojnë interesat e shqiptarëve, por mbrojnë kriminelët në mesin e tyre".

"Ne si parti përkrahim fuqishëm qëndrimin e profesor Blerim Rekës, se nuk do të këtë tregti me këto vota në raundin e dytë“, tha Billall Kasami.

Të hënën, kandidati për president të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha se beson se votat e Blerim Rekës në raundin e dytë do të kalojnë për të, sepse tij, është votë për konceptin euroatlantik për Maqedoninë e Veriut.

“Do të doja t’ju drejtohem qytetarëve që dje votuan për Blerim Rekën, prej tyre e pres mbështetjen në rrethin e dytë dhe i ftoj që masovikisht të dalin në votim".

"E di se numri i madh prej atyre e përkrahin vizionin tim për të ardhmen dhe Maqedoninë evropiane dhe të integruar, edhe përkundër revizionit ndaj gjithçkaje që kemi arritur dhe bllokadat që i ka paralajmëruar Siljanovska”, ka theksuar Pendarovski.

Në pyetjen e gazetarëve nëse do të bisedoj me opozitën shqiptare, Pendarovski ka theksuar se mbështetë tezën që të mos bëhen pazare politike me votat, por gjithsecili votues të përcaktohet vetë për kandidatin për të cilin mendon se do të jetë president më i mirë i shtetit.

Por, lideri i Social-demokratëve, Zoran Zaev, i cili është dhe kryeministër i Maqedonisë së Veriut, tha se në raundin e dytë pret që votat e Rekës të shkojnë për Stevo Pendarovskin "i cili ka koncept progresiv dhe jo për kandidaten e opozitës maqedonase Gordana Siljanovskës e cila e ndan popullin”.

“Pres edhe qytetarët të cilët votuan për zotin Blerim Reka, më 5 maj të veprojnë me përgjegjësi dhe të kontribuojnë drejt rrugës e cila çon përpara, pasi edhe ata e dinë se rruga prapa sjellë dëme për të gjithë, madje edhe për ata”, ka theksuar Zoran Zaev lider i Social-demokratëve, njëherësh dhe kryeministër i vendit, duke shtuar se “këto janë zgjedhje të rëndësishme pasi përcaktojnë se me çfarë shpejtësie do të vazhdojmë të shkojmë përpara dhe njëherësh sa shpejtë qytetarët e vendit do të fillojmë të jetojmë në mënyrë evropiane”.

Përderisa, kandidatja për presidente nga radhët e VMRO-DPMNE-së Gordana Siljaniovska-Davkova, ka theksuar se nëse mblidhen edhe votat e kandidatit shqiptar Blerim Reka, do të shihet se kundërkandidati i saj Stevo Pendarovski i cili është përkrahur nga partitë që përbëjnë qeverinë, ka pësuar humbje të thellë në dallim prej më shumë se 70.00 votave.

Gordana Silajanovska-Davkova është shprehur e bindur se koncepti i saj dhe ai i zotit Reka kanë pasur një bosht të përbashkët, atë të sundimit të drejtësisë dhe shtetit ligjor.

“E di se beteja tek sa ka filluar. Por, nëse ne arritëm të sigurojmë një numër të këtillë të votave dhe nëse këtu shtojmë dhe votat e zotit Blerim Reka si kandidat i pavarur i cili u mbështet nga dy parti shqiptare në opozitë, porosia është shumë e qartë. Që të dy ne folëm për sundimin e drejtësisë për shtet të së drejtës, për t'i dhënë fund korrupsionit dhe kriminalitetit”, ka theksuar Siljanovska.

Video: Procesi zgjedhor në Maqedoninë e Veriut

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:47 0:00

Ndryshe, sipas rezultateve të publikuara në web faqen zyrtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, në bazë të 99.95% të votave të numëruara, kryeson kandidati i mbështetur nga partitë politike në pushtet Stevo Pendarovski me 42,84 për qind ose 323.783 vota të fituara, e dyta është kandidatja e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit Gordana Siljanovska Davkova me 42,24 ose 319.201 vota, ndërsa i treti është kandidati i mbështetur nga Aleanca për Shqiptarët dhe Besa, Blerim Reka me 10,57 për qind ose 79.913 vota.

XS
SM
MD
LG