Ndërlidhjet

Trump do të vendosë për tarifat ndaj Kinës pas samitit të G-20


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se do të vendosë nëse do të zbatojë tarifa të reja ndaj mallrave të Kinës pas takimit me homologun e tij kinez, Xi Jinping, në kuadër të samitit të 20 vendeve më të zhvilluara ekonomikisht (G-20), që do të mbahet në fund të muajit.

Trump më herët e ka kërcënuar Kinën me tarifa të reja edhe për më shumë se 300 miliardë dollar.

Megjithatë ai ka deklaruar se edhe Kina edhe Meksika dëshirojnë të arrijnë marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara.

Trump ka paralajmëruar tarifa edhe ndaj Meksikës për shkak të asaj që ai e quan “krizë të migrantëve në kufirin jugor”.

“ Vendimin do ta marrë pas samitit të G-20. Do të takohem me presidentin Xi (Jinping) dhe le të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Trump.

Tensionet mes dy ekonomive më të mëdha në botë janë rritur ndjeshëm, pasi bisedimet për përfundimin e një “lufte” tregtare u ndërprenë në fillim të majit.

Përderisa Trump tha të enjten se bisedimet me Kinën po vazhdonin, asnjë takim ballë për ballë nuk është mbajtur që nga 10 maji, ditën kur ai rriti ndjeshëm tarifat ndaj mallrave kineze në 25%, duke shkaktuar reagimin e Pekinit.

XS
SM
MD
LG