Ndërlidhjet

Liderja e CDU-së kundërshton mundësinë e lehtësimit të sanksioneve ndaj Rusisë


Udhëheqësja e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer .

Udhëheqësja e partisë së kancelares gjermane, Angela Merkel, Unioni Demokristian (CDU), ka refuzuar thirrjet e bashkëpartiakëve të saj, për të lehtësuar sanksionet ndaj Rusisë, duke thënë se ato do të vazhdojnë të jenë në fuqi derisa të ndryshojë sjellja e Moskës në Krime dhe lindje të Ukrainës.

Udhëheqësja e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer tha se “përderisa nuk ka ndryshim në sjelljen e Rusisë, nuk do të ketë hapësirë për ndryshime në bashkëpunimin ekonomik”.

Komentet e saj janë në kundërshtim me bashkëpartiakun e saj, Michael Kretschmer, që është guvernator i shtetit gjerman të Saksonisë.

Kretschmer ishte takuar me presidentin rus, Vladimir Putin në Forumin Ekonomik të mbajtur më 7 qershor në Shën Petersburg, dhe më vonë kishte shkruar në Twitter se “ne na duhen marrëdhënie më të mira, na duhet t’u japim fund sanksioneve”.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ekonomike ndaj Moskës, që prej se më 2014 ankesoi gadishullin ukrainas të Krimesë. Po ashtu Moska mbështet separatistët në luftën e tyre kundër forcave qeveritare ukrainase, në lindje të Ukrainës.

Në një intervistë për të përditshmen gjermane Bild, Kramp-Karrenbauer, e cila është pasardhëse e Merkelit në CDU, tha se Moska fillimisht duhet të tërhiqet nga ndërhyrja në Ukrainë, para se mundësia e lehtësimit të sanksioneve të mund të shqyrtohet.

“Sanksionet ekonomike janë reagim ndaj shkeljeve të Qeverisë ruse të ligjeve ndërkombëtare në Krime dhe lindje të Ukrainës. Derisa asgjë të mos ndryshojë në sjelljen e Rusisë, nuk ka hapësirë për ndryshimin e bashkëpunimit ekonomik”, tha udhëheqësja e CDU-së.

XS
SM
MD
LG