Ndërlidhjet

PS: Nuk tërhiqemi nga 30 qershori


Kuvendi i Shqipërisë

Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur të enjten në një seancë të jashtëzakonshme, të thirrur nga Partia Socialiste, për të diskutuar vendimin e presidentit të vendit për anulim të zgjedhjeve lokale si pasojë e krizës politike në vend.

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në Kuvend, deklaroi se ditën e sotme, në vend që Kuvendi të merrej me rezolutën që do i drejtohej shteteve të Bashkimit Evropian për t’i kërkuar “njohjen e meritës së Shqipërisë në përmbushjen e kushteve të vëna prej tyre dhe për nisjen e negociatave”, po merret me “me një akt brutal, të papërgjegjshëm dhe të pa-tolerueshëm të Ilir Metës”, duke iu referuar dekretit të Presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve.

Ai ka shtuar se partia e tij nuk do të tërhiqet nga 30 qershori, si datë e caktuar e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Shqipëri.

“Anti – dekreti i Ilir Metës është një arsye më shumë për t’i bërë zgjedhjet më 30 qershor, për t’i dalë përballë frontalisht këtyre katër aventurierëve (presidentit dhe krerëve të opozitës) që duan të ndalojnë shtetbërjen shumë të mundimshme të këtij vendi dhe ta katandisin vendin njësoj si vetveten”, tha Rama.

Ndërkohë, presidenti Ilir Meta është takuar me përfaqësuesen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Leyla Moses- Ones, si dhe ka filluar takimet me përfaqësues të opozitës për konsultime për një datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve.

Ai ka shfuqizuar dekretin presidencial për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale në Shqipëri për 30 qershor dhe ka thënë se zgjedhje në Republikën e Shqipërisë “nuk ka dhe nuk do të ketë pa dekretin e presidentit”.

Ai këtë vendim e mori pasi që opozita në Shqipëri ka djegur mandatet në Kuvend, dhe ka disa muaj që proteston duke kërkuar largimin e qeverisë.

Deri tani, qeveria dhe opozita nuk kanë gjetur rrugë të përbashkët për të dialoguar për zgjidhjen e kësaj krize politike në vend.

XS
SM
MD
LG