Ndërlidhjet

Mijëra protestues kërkojnë dorëheqjen e lideres së Hong Kongut


Mijëra protestues të dielën kanë marshuar në rrugët e Hong Kongut, të veshur me ngjyrë të zezë, duke kërkuar dorëheqjen e lideres Carrie Lam, një ditë pasi ajo anuloi projektligjin për ekstradim, pas protestave të dhunshme.

Disa protestues kanë mbajtur pankarta me mbishkrimet “Mos qëllo, ne jemi nga Hong Kongu”, pas përplasjes së dhunshme me policinë të mërkurën në protestat për projektligjin.

Lam të shtunën tha se do ta anulojë projektligjin për ekstradim që i mundëson kriminelëve të përballen me gjykatën në Kinë.

Qeveria e Kinës ka theksuar se projektligji i propozuar për ekstradimet do ta bënte vendin më të pasigurtë për kriminelët, derisa kritikët kanë thënë se kjo do të ndikonte drejtëpërdrejtë në pavarësinë e gjyqësorit.

Hong Kongu kishte qenë koloni britanike, por u kthye nën sundimin kinez më 1997, nën parimin “një shtet, dy sisteme”.

Ndryshimet në projektligj do të mundësonin që kërkesat për ekstradim nga autoritetet e Kinës, Taivanit dhe Makaut, të vendosen nga gjykatat e Hong Kongut.

Ky propozim vjen pas një rasti të profilit të lartë ku një qytetar i Hong Kongut kishte vrarë të dashurën e tij gjatë pushimeve në Taivan dhe nuk ka mundur të ekstradohet.

Qeveria thekson se ky projektligj është i rëndësishëm për të mbrojtur vendin nga kriminelët.

XS
SM
MD
LG